Tahiri për vendimin e ZRRE-së: Rrezikon falimentimin e kompanive dhe mund të lërë pa punë dhjetëra mijëra punëtorë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë. Sipas Tahirit, ky vendim është i…

Lajme

21/08/2025 16:37

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

Sipas Tahirit, ky vendim është i padrejtë dhe rrezikon të sjellë pasoja të rënda për sektorin privat, përfshirë falimentimin e shumë kompanive dhe humbjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës. Ai ka akuzuar autoritetet për mbrojtje të interesave të një pakice të privilegjuar në dëm të shumicës së qytetarëve, transmeton lajmi.net

“PDK ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi, sepse çdo ditë vonesë sjell pasoja të pariparueshme,” ka deklaruar Tahiri.

Ai theksoi se PDK do të vazhdojë të qëndrojë në mbështetje të qytetarëve, punëtorëve dhe bizneseve, duke vazhduar betejën kundër padrejtësisë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Postimi i plotë:

Në emër të PDK-së kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të padrejtë të ZRRE-së, i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në “tregun e lirë” të energjisë. Implementimi i këtij vendimi rrezikon falimentimin e kompanive dhe mund të lërë pa punë dhjetëra mijëra punëtorë, duke mbrojtur pakicën e privilegjuar në dëm të shumicës së qytetarëve.
PDK ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi, sepse çdo ditë vonesë sjell pasoja të pariparueshme. Ne qëndrojmë në krah të qytetarëve, punëtorëve dhe bizneseve, dhe do të vazhdojmë betejën kundër padrejtësisë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit./lajmi.net/