“Ky elektorat nuk bën me u abuzu”, “Ish ministri meteor riktheu ‘Dadën Razë’” – Përplasje në distancë mes Tahirit dhe Lladrovcit për Drenasin
Zgjedhjet lokale në Drenas kanë nxitur përplasje publike mes dy figurave të njohura të Partisë Demokratike të Kosovës – deputetit Abelard Tahiri dhe kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci, i cili këtë herë garon si i pavarur me listën e tij, të quajtur PDKRLL. Në një deklarim në emisionin Pressing, Abelard Tahiri kritikoi Lladrovcin për “abuzim…

Lajme
Zgjedhjet lokale në Drenas kanë nxitur përplasje publike mes dy figurave të njohura të Partisë Demokratike të Kosovës – deputetit Abelard Tahiri dhe kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci, i cili këtë herë garon si i pavarur me listën e tij, të quajtur PDKRLL.
Në një deklarim në emisionin Pressing, Abelard Tahiri kritikoi Lladrovcin për “abuzim me besimin e qytetarëve”, duke thënë se Drenasi ka qenë bastion besnik i PDK-së, por se tani është koha për ndryshim dhe përkrahje të një kandidati të ri – konkretisht Petrit Hajdarit, transmeton lajmi.net
“Ky elektorat nuk bën me u abuzu. Lladrovci ka qenë për 10 vjet kryetar nga PDK në një komunë që të voton vetëm pse je nga PDK. Mendoj që duhet me ju dhënë mundësia edhe kandidatëve të rinj,” tha Tahiri, duke shtuar se kandidatura e Hajdarit do të sjellë një “fitore të fuqishme” për PDK-në në Drenas.
Lladrovci reagon me ironi dhe thumbime personale
Nuk vonoi shumë dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tashmë po garon jashtë PDK-së, reagoi me ironi në Facebook, duke iu referuar Tahirit si “ish Ministri meteor”, një aludim për shkurtësinë e mandatit të tij si ministër i Drejtësisë.
“Sonte, ish Ministri meteor, e riktheu ‘Dadën Razë’, paska folë për zgjedhjet në Drenas. Vëmendje: Disa i përvetësojnë meritat e dikush i ka ato,” shkroi Lladrovci.
Ai nuk hezitoi të kujtonte edhe përçarjet e brendshme brenda degës së PDK-së në Drenas, duke thumbuar Tahirin për përqafime politike me figura që dikur e kishin ofenduar rëndë.
“Vetëm një pyetje, ish Ministër: kur shkon në Selinë me logo në Drenas, a përqafoheni edhe me ata që të quajtën ‘i biri i spiunit’ para katër vjetëve?”, përfundoi ai.
Një betejë mes të vjetërve dhe të rinjve në bastionin e PDK-së
Drenasi ka qenë tradicionalisht një nga bastionet më të forta të PDK-së, dhe për vite të tëra është udhëhequr nga Ramiz Lladrovci. Por zgjedhjet lokale të vitit 2025 duket se kanë hapur një faqe të re në këtë komunë, me përplasje të brendshme, ndarje në parti dhe sfida për lidershipin lokal.
Kandidimi i Lladrovcit si i pavarur, përmes listës PDKRLL, përbën sfidë direkte për PDK-në, ndërsa deklaratat e deputetit Tahiri konfirmojnë se partia synon ta rifitojë Drenasin me një fytyrë të re.
Ndërkohë, fushata duket se do të jetë jo vetëm politike, por edhe personale – me prapavijë të tensionuar dhe gjuhë të ashpër mes figurave që dikur ndanin të njëjtën parti./lajmi.net/