Ndalimi i vizitave në Hagë vlerësohet si shkelje e të drejtave të njeriut

Vendimi për ndalimin e vizitave të të afërmve të ish-presidentit Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, nga këndvështrimi i njohësve të drejtësisë, vlerësohet shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, mbrojtja tashmë ka bërë të ditur se planifikon që në kuadër të dëshmive në rastin e krerëve të UÇK-së, t’i përdorë dëshmitë e…

Lajme

20/08/2025 22:10

Vendimi për ndalimin e vizitave të të afërmve të ish-presidentit Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, nga këndvështrimi i njohësve të drejtësisë, vlerësohet shkelje e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, mbrojtja tashmë ka bërë të ditur se planifikon që në kuadër të dëshmive në rastin e krerëve të UÇK-së, t’i përdorë dëshmitë e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, Richard Holbrooke, senatorit Doll e disa personalitete të tjera të rëndësishme.

 

 

Gjykata Speciale ka publikuar në faqen e saj vendimin për ndalimin e vizitave të të afërmve të ish-presidentit Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ky vendim, nga këndvështrimi i një juristi, është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Është jashtëzakonisht e paligjshme, e panevojshme kërkesa e prokurorit që të merret me çështjen se kush ta vizitojë të akuzuarin, pasi që gjatë mbajtjes në paraburgim është gjyqtari i procedurës paraprake ai që kujdeset për të akuzuarit, të dyshuarin në masën e paraburgimit, pastaj është kryetari i trupit gjykues, tash kemi kryetar të trupit gjykues dhe në asnjë formë dhe në asnjë variant nuk ka të drejtë prokurori të parashtroj këso kërkesash në kundërshtim me kodin e procedurës penale e që është edhe në kundërshtim me konventën për të drejtat e njeriut”, tha Skender Musa, avokat i licencuar nga Gjykata Speciale.

 

 

Dikur e këshillonte, e tani Gjykata Speciale ia ka ndaluar vizitën në paraburgim. Pas kërkesës së prokurorisë, Artan Behrami dhe 10 persona të tjerë, me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, nuk do të kenë mundësinë që të takohen më me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim pothuajse tash e pesë vjet.

“Vendimi i Gjykatës Speciale për kufizim është vetëm spektakël dhe ka qëllim që të largojë vëmendjen nga një ngjarje e cila është një pikëpërmbysje në gjyqin politik kundër krerëve të UÇK-së, dje u dëshmua që dëshmitë e Albright do të jenë përballë dokumenteve të falsifikuara të Serbisë, që dëshmitë e ambasadorit Holbrooke do të ballafaqohen me dëshmitë e Nazim Bllacës, që dëshmitë e William Walker do të ballafaqohen me dëshmitë e njërit që kishte thënë se UÇK-ja ka bërë magji, pra po flasim për një kualitet të jashtëzakonshëm të dëshmitarëve e cila do të përmbys përfundimisht të gjitha pretendimet e gjykatës speciale kundër krerëve të UÇK-së”, tha Artan Behrami, ish-këshilltar i Thaçit.

Behrami mes tjerash vlerëson se nëse vendimi i gjykatës nuk është në favor të krerëve të UÇK-së, situata në vend mund të destabilizohet.

Ndërkohë, mbrojtja të martën njoftoi se planifikon që në kuadër të dëshmive në rastin e krerëve të UÇK-së, t’i përdorë dëshmitë e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, Richard Holbrooke, senatorit Doll e disa personalitete të tjera të rëndësishme./RTK/