Konjufca dhe Bogujevci – Emrat që do zgjidhnin bllokadën, por VV po i injoron për t’ia zgjatur krizën vendit

Vetëvendosje vazhdon të thellojë krizën institucionale në Kosovë duke refuzuar të propozojë kandidatë të pranueshëm për kryetar të Kuvendit, edhe pse tashmë është e qartë se ka emra që do të merrnin mbështetjen e opozitës. Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, konfirmoi sonte në emisionin Pressing se PDK është e gatshme të votojë Glauk Konjufcën ose…

Lajme

20/08/2025 21:55

Vetëvendosje vazhdon të thellojë krizën institucionale në Kosovë duke refuzuar të propozojë kandidatë të pranueshëm për kryetar të Kuvendit, edhe pse tashmë është e qartë se ka emra që do të merrnin mbështetjen e opozitës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, konfirmoi sonte në emisionin Pressing se PDK është e gatshme të votojë Glauk Konjufcën ose Saranda Bogujevcin për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës.

“Ne do ta votonim Konjufcën ose Bogujevcin. Është hera e parë që po përmendim emra,” deklaroi Tahiri, duke nënvizuar se partia e tij po ofron zgjidhje konkrete për të tejkaluar bllokadën.

Edhe më herët, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar publikisht  se AAK është e gatshme të japë pesë vota për Konjufcën, Bogujevcin apo edhe Shqipen Mehmeti-Selimin, si shenjë kompromisi për të formuar institucionet.

“Unë e them para qytetarëve të Kosovës: kemi dhanë Sarandën, Shqipen dhe Glauk Konjufcën. Le ta nxjerrin njërin nga këta – i kanë pesë votat tona,” ishte shprehur Haradinaj.

Propozime të qëllimshme për të mos kaluar

Megjithë këto oferta të qarta nga opozita, Vetëvendosje po vazhdon të propozojë emra që dihet paraprakisht se nuk gëzojnë mbështetje, as brenda grupit të vet parlamentar. Të mërkurën, VV propozoi fillimisht Albulena Haxhiun e më pas Donika Gërvallën si kandidate për kryetare të Kuvendit, por të dyja dështuan të marrin votat e nevojshme.

Në veçanti, kandidatura e Gërvallës shkaktoi përplasje të hapur brenda vetë VV-së, pasi deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi refuzoi ta votojë, duke kujtuar deklaratat e vjetra të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit, të cilin kjo e fundit e kishte quajtur “njeri të botës së krimit”.

Pse po zvarritet konstituimi i Kuvendit?

Me propozime të tilla të papranueshme dhe që nuk përmbushin as kushtin bazë për ndërtimin e një marrëveshjeje në mirëbesim, Vetëvendosje po tregohet e vendosur që të vazhdojë krizën institucionale dhe ta përdorë atë politikisht për tensionim të mëtejshëm të situatës.

Analistë politikë po e shohin këtë një lojë të qëllimshme nervash nga Albin Kurti, duke e akuzuar se nuk po dëshiron krijimin e institucioneve, por po ushqen një narrativë destruktive dhe po përgatit terrenin për zgjedhje të reja, duke fajësuar opozitën për bllokadën që realisht po e prodhon vetë VV.

Seanca e radhës

Pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, seanca e radhës është caktuar për të premten, më 22 gusht. Mbetet për t’u parë nëse Vetëvendosje do të reflektojë dhe do të propozojë një nga emrat që tashmë dihet se i kanë votat, apo do të vazhdojë me taktika bllokuese që po e mbajnë peng shtetin./lajmi.net/