Flasin nga PDK: Ne do ta votonim Konjufcën e Bogujevcin – Kusarin jo, për shkak të lidhjes me Radoiçiqin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit institucional dhe se do të mbështeste kandidaturat e Glauk Konjufcës ose Saranda Bogujevcit për kryetare të Kuvendit. Në një intervistë në emisionin Pressing, Tahiri tha se Konjufca ka qenë “më…

Lajme

20/08/2025 20:45

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit institucional dhe se do të mbështeste kandidaturat e Glauk Konjufcës ose Saranda Bogujevcit për kryetare të Kuvendit.

Në një intervistë në emisionin Pressing, Tahiri tha se Konjufca ka qenë “më korrekt” gjatë mandatit të tij të kaluar si kryetar i Kuvendit, dhe se për herë të parë, PDK është e hapur për të diskutuar emra konkretë nga radhët e Vetëvendosjes.

“Ne do ta votonim Konjufcën ose Bogujevcin, është hera e parë që po përmendim emra,” deklaroi ai.

Ndërsa për Mimoza Kusari-Lilën, një nga emrat që përflitet si kandidate e mundshme nga VV, Tahiri u shpreh qartë se PDK nuk do ta votonte, duke e lidhur me, siç tha, komunikimin e saj me kriminelin serb Milan Radoiçiq.

“Nuk do ta votonim Mimoza Kusarin për shkak të komunikimit të saj me kriminelin Radoiçiq. Kurti nuk i ka numrat. As ata 57 deputetë që ia votuan znj. Haxhiun për kryetare, nuk përbëjnë shumicë për Qeverinë. Kriza reale do të shihet kur të vijmë tek votimi për Qeverinë,” theksoi Tahiri.

VV dështon dy herë në propozimet për kryeparlamentare

Deklaratat e Tahirit vijnë në një moment të tensionuar politik, pasi sot në Kuvendin e Kosovës dështuan dy përpjekje radhazi të Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, me kandidaturat e propozuara: Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla-Schwarz.

Asnjëra nga dy deputetet nuk arriti të marrë 61 vota të nevojshme. Rasti i Donika Gërvallës ishte edhe më i theksuar, pasi nuk mori as votën e deputetes së VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi. Kjo e fundit, në një postim në Facebook, sqaroi se refuzoi ta votojë Gërvallën për shkak të deklaratave të saj të mëhershme në rrjetet sociale, ku e kishte quajtur bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, “njeri të botës së krimit.”

Dështimi i sotëm ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale që po kalon vendi, duke nxitur kritika ndaj Albin Kurtit dhe mënyrës se si po trajtohet procesi i konstituimit të institucioneve.

Seanca e radhës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit pritet të mbahet të premten./lajmi.net/