Matoshi: Me kandidaturën e Gërvallës, Kurti ia nguli thikë mas shpine njeriut të vet në Hagë, Rexhep Selimit

Analisti politik Halil Matoshi ka publikuar një analizë të ashpër politike, pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, ku kritikon ashpër taktikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Matoshi thotë se nëse Vetëvendosje do ta respektojë realisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkon ndërtimin…

Lajme

20/08/2025 20:33

Analisti politik Halil Matoshi ka publikuar një analizë të ashpër politike, pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, ku kritikon ashpër taktikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Matoshi thotë se nëse Vetëvendosje do ta respektojë realisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkon ndërtimin e institucioneve në bazë të një marrëveshjeje në mirëbesim, atëherë propozimi i tretë për kryeparlamentar duhet të jetë një kandidat serioz dhe i pranueshëm politikisht. Në të kundërtën, sipas tij, Kurti është duke e zhytur vendin në krizë të qëllimshme, transmeton lajmi.net

“Nëse ajo nuk e ka për qëllim rikthimin në rendin kushtetues, maskarada vazhdon edhe disa herë ngjim,” shkruan Matoshi.

Ai e cilëson kandidimin e Donika Gërvallës si një thikë pas shpine për Rexhep Selimin, ish-komandant i UÇK-së dhe bashkëshort i deputetes Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila nuk e votoi Gërvallën pikërisht për shkak të sulmeve të saj të mëhershme ndaj Selimit.

“Gërvalla e ka quajtur Rexhep Selimin ‘njeri të botës së krimit’. VV-së i plasi bomba në duar, tue ia bë fytyrën qivit,” thekson ai.

Matoshi kujton edhe përplasjen e vjetër mes Gërvallës dhe LDK-së, dhe thotë se Kurti e dinte se ajo nuk do të merrte votat e opozitës, duke akuzuar kreun e VV-së se po urdhëron veprime pa qëllim shtetformues, por vetëm si taktika destruktive për të rrënuar rendin kushtetues dhe për të ushqyer një narrativë nacionaliste e armiqësore ndaj demokracisë liberale.

“Kurti thjesht e urren stabilitetin. Ai nuk po kërkon ndërtimin e institucioneve legale, por anarkinë si formë disiplinimi ndaj qytetarëve,” shkruan më tej Matoshi.

Sipas tij, nëse Kurti propozon emra si Dehari, Sfeçla, Dimal Basha apo Agim Bahtiri për kryeparlamentar, do të ishte një sinjal i qartë se Vetëvendosje po bllokon me vetëdije institucionet, për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Ai kritikon gjithashtu mundësinë e propozimit të Mimoza Kusari-Lilës, një figurë që ka konflikte të hapura me PDK-në dhe AAK-në për çështje si ligji për veteranët, dhe që sipas Matoshit, do të ishte një tjetër dëshmi se Kurti nuk e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërtim të institucioneve mbi bazën e konsensusit minimal.

Në fund, Matoshi parashikon se Kurti do të vazhdojë lojën e nervave, duke vonuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, për ta sjellë opozitën në një pikë lodhjeje politike, që më pas të dakordohen për shpërbërje të Kuvendit dhe zgjedhje të reja, por vetëm në kohën kur Kurti e konsideron të përshtatshme për veten./lajmi.net/