Operacion policor në Prishtinë – arrestohen dy persona për fajde, një tjetër në kërkim
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka realizuar sot (20 gusht 2025) një operacion policor në rajonin e Prishtinës, në lidhje me veprën penale të fajdes. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka rezultuar me arrestimin e dy…

Lajme
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka realizuar sot (20 gusht 2025) një operacion policor në rajonin e Prishtinës, në lidhje me veprën penale të fajdes.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim, transmeton lajmi.net
Të arrestuarit janë identifikuar si:
-
B.F. (i lindur në vitin 1977),
-
A.F. (1986),
-
ndërsa personi i tretë, B.B. (1985), nuk është gjetur në banesën e tij në momentin e ndërhyrjes policore. Atij i është lënë ftesë për t’u paraqitur në polici.
Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë ushtruar presion ndaj viktimës për të paguar shuma të ndryshme parash si interes për fajde. Madje, në emër të kamatave të fajdesë, ata kanë tentuar të përvetësojnë njësi banesore në ndërtim, të cilat janë në pronësi të viktimës.
Njëri nga të dyshuarit, B.F., është arrestuar në flagrancë teksa po pranonte para si interes nga fajdeja. Ndërkohë, A.F. është arrestuar në banesën e tij.
Me urdhër të Gjykatës, janë kryer kontrolle në tri lokacione të të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që pritet të përdoren gjatë procedurave penale./lajmi.net/