Musliu-Shoshi pas dështimit të Gërvallës: Kuvendi nuk mund të drejtohet nga ata që mohojnë luftën dhe baltosin lirinë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Kuvendi nuk mund të udhëhiqet nga dikush që ka ndërtuar karrierë mbi sulmet ndaj çlirimtarëve të UÇK-së. Në një postim në rrjetet sociale, Musliu-Shoshi deklaroi se Gërvalla mori…

Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Kuvendi nuk mund të udhëhiqet nga dikush që ka ndërtuar karrierë mbi sulmet ndaj çlirimtarëve të UÇK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Musliu-Shoshi deklaroi se Gërvalla mori sot “përgjigjen më të qartë nga deputetët e Kuvendit”, duke e cilësuar votimin si një refuzim të vlerave që ajo përfaqëson, transmeton lajmi.net.
“E vërteta është e thjeshtë: një politikane që ka ndërtuar karrierën mbi sulmet ndaj çlirimtarëve dhe ndaj vlerave mbi të cilat u ngrit Republika jonë, nuk mund të ketë përkrahjen e deputetëve dhe nuk mund të ulet në krye të tempullit të demokracisë, Kuvendit të Kosovës,” shkroi Musliu-Shoshi.
Ajo shtoi se institucionet e vendit nuk mund të drejtohen nga njerëz që, sipas saj, mohojnë luftën dhe baltosin lirinë:
“Kuvendi nuk mund të drejtohet nga ata që e mohojnë luftën dhe e baltosin lirinë!”
Donika Gërvalla, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme në seancën konstituive të Kuvendit. Përveç votave kundër nga opozita, një ndër arsyet për dështimin u tha të jetë edhe mungesa e përkrahjes së plotë nga deputetët e koalicionit qeverisës./lajmi.net/