Dita e 19-të pa paga, punëtorët e RTK-së ende nuk i kanë marrë pagat – Sindikata paralajmëron protestë nga e hëna

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i është drejtuar me një kërkesë zyrtare menaxhmentit të RTK-së, Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar shpërndarjen e menjëhershme të pagave, të cilat tashmë janë vonuar plot 19 ditë. Në letrën drejtuar institucioneve, sindikata thekson se ndonëse vendimi për buxhetin e RTK-së është marrë në parim që…

Lajme

19/08/2025 19:13

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i është drejtuar me një kërkesë zyrtare menaxhmentit të RTK-së, Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar shpërndarjen e menjëhershme të pagave, të cilat tashmë janë vonuar plot 19 ditë.

Në letrën drejtuar institucioneve, sindikata thekson se ndonëse vendimi për buxhetin e RTK-së është marrë në parim që të premten e kaluar, asnjë pagë nuk është transferuar deri më sot.

“Punëtorët e RTK-së presin me të drejtë pagën për punën që kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme,” thuhet në komunikatë.

Sindikata kërkon përgjigje të qartë për statusin e procesit të transferimit të pagave dhe afatet e realizimit, duke paralajmëruar se nëse pagat nuk shpërndahen deri të premten, atëherë nga e hëna (ora 09:30) do të nisin protestat dhe format tjera të bojkotit të lejuara me ligj. Ata rikujtojnë se protesta e paralajmëruar më herët ishte anuluar si shenjë mirëbesimi, por tani thonë se durimi ka arritur në fund.

Komunikata e plotë: 

KËRKESE ZYRTARE
drejtuar:
• Menaxhmentit të RTK-së
• Qeverisë së Republikës së Kosovës
• Ministrisë së Financave

Të nderuar,

Jemi të detyruar t’ju drejtohemi me këtë kërkesë lidhur me procesin e transferimit të pagave për punëtorët e RTK-së.

Siç dihet, të premten e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së. Megjithatë, deri më sot – dita e 19 pa paga – të gjithë punëtorët e RTK-së vazhdojnë të jenë pa pagën e tyre mujore, për të cilën kanë punuar.

Kërkojmë të informohemi qartë deri ku ka shkuar procesi i transferimit të pagave dhe sa kohë do të zgjasë kjo procedurë.

Ju bëjmë thirrje që ta përshpejtoni këtë proces, pasi vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së dhe vetë institucionin tonë. Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme.

Prandaj, presim përgjigje të qartë dhe shpërndarje të menjëhershme të pagave për punëtorët e RTK-së.Në të kundërt, do të jemi të detyruar t’i kthehemi formave ligjore që na i lejon ligji për organizimin sindikal.

Ju rikujtojmë se protesta e paralajmëruar u anulua në shenjë mirëbesimi dhe për të dëshmuar se nuk kemi asnjë interes tjetër përveç mbrojtjes së RTK-së dhe punëtorëve të saj.

Presim përgjigje konkrete nga të gjithë akterët institucionalë më së voni deri të premten.
Nëse deri të premten nuk bëhet shpërndarja e pagave, protesta dhe format e bojkotit të lejuara me ligj do të fillojnë të hënën në orën 09:30./lajmi.net/