Hoti akuzon Qeverinë për krizën energjetike: Përdori policinë për t’i shkëputur bizneset nga energjia

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për menaxhimin, siç e ka quajtur ai, të dobët dhe të papërgjegjshëm të sektorit të energjisë, duke thënë se kjo qeveri e ka futur vendin në një krizë të thellë energjetike. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka përmendur disa vendime…

Lajme

16/08/2025 19:37

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për menaxhimin, siç e ka quajtur ai, të dobët dhe të papërgjegjshëm të sektorit të energjisë, duke thënë se kjo qeveri e ka futur vendin në një krizë të thellë energjetike.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka përmendur disa vendime të ekzekutivit që, sipas tij, e kanë përkeqësuar situatën. Ai ka theksuar se Qeveria ka anuluar ndërtimin e një termocentrali të ri, nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri energjetik dhe ka refuzuar projektin e gazit që ishte paraparë me Marrëveshjen e Uashingtonit, raporton lajmi.net

“Sot, përdor policinë për t’i shkëputur bizneset nga energjia që prodhohet me thëngjillin e Kosovës”, ka shkruar Hoti, duke kritikuar shkyçjet që po ndodhin ndaj bizneseve që nuk kanë kaluar në tregun e lirë të energjisë.

Hoti ka ngritur dyshime mbi motivet e qeverisë për të shtyrë me ngulm liberalizimin e tregut të energjisë, duke pyetur pse po kërkohet me çdo kusht që bizneset të blejnë energji “disa herë më shtrenjtë, pa pasur kushte për treg të hapur dhe konkurrues”.

Postimi i plotë:

“- Kundërshtoi dhe anuloi ndërtimin e termocentralit të ri,
– Nuk ndërtoi asnjë kapacitet të ri energjetik,
– Anuloi projektin e gazit nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Sot, përdor policinë për t’i shkëputur bizneset nga energjia që prodhohet me thëngjillin e Kosovës.
Pse gjithë ky entuziazëm për t’i detyruar bizneset të blejnë energji disa herë më shtrenjtë, pa pasur kushte për treg të hapur dhe konkurrues?!
Si erdhi puna deri në këtë pikë?!”./Lajmi.net/