“KEDS ka shkuar me policë” – OEK kundërshton shkyçjet masive të bizneseve nga rrjeti elektrik

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj shkyçjeve masive të bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike, të cilat janë ndërmarrë nga KEDS pas përfundimit të afatit për lidhjen e kontratave me furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE). Në një komunikatë për media, OEK e ka cilësuar këtë veprim si…

Lajme

16/08/2025 16:35

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj shkyçjeve masive të bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike, të cilat janë ndërmarrë nga KEDS pas përfundimit të afatit për lidhjen e kontratave me furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në një komunikatë për media, OEK e ka cilësuar këtë veprim si një “vendim të jashtëligjshëm” dhe ka paralajmëruar për pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

Sipas OEK, zyrtarë të KEDS-it, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, kanë hyrë në objektet e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike, duke krijuar një situatë të tensionuar dhe të pasigurt, veçanërisht për investitorët e huaj, raporton lajmi.net

“Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore”, thuhet në reagim.

OEK ka njoftuar se ka pranuar ankesa edhe nga kompani që tashmë kanë kontrata të lidhura, por që megjithatë janë përballur me ndërprerje të rrymës. Po ashtu, ka pasur raste ku biznese që nuk plotësojnë kriteret për daljen në tregun e lirë të energjisë janë përfshirë në ndërprerje, gjë që sipas OEK dëshmon për një proces të paorganizuar dhe të papërgatitur nga ana e ZRrE-së.

Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje ZRrE-së që të ndalojë menjëherë këto veprime të cilësuara si “arbitrare dhe të dhunshme”, dhe të rikthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat. Sipas OEK, vetëm një tranzicion i planifikuar dhe gjithëpërfshirës mund të garantojë mbrojtjen e bizneseve, të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së vendit dhe punësojnë mbi 140 mijë qytetarë.

“Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës”, përfundon deklarata.

Postimi i plotë: 

Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit
Oda Ekonomike e Kosovës ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vendim që sot ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore.
Gjithashtu, kemi raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike. Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur.
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës.
Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës./Lajmi.net/