PDK akuzon njerëzit e Lladrovcit për demolimin e zyrës së re në Drenas: S’po e kapërdin dot rezultatin

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka reaguar ashpër pas një incidenti që ndodhi me zyrën e re të kësaj partie, duke akuzuar njerëz të afërt me Ramiz Lladrovcin për demolimin e saj. Sipas reagimit zyrtar, zyrat e reja të PDK-së ishin marrë me qira dhe më parë ishin në përdorim nga…

Lajme

15/08/2025 22:17

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka reaguar ashpër pas një incidenti që ndodhi me zyrën e re të kësaj partie, duke akuzuar njerëz të afërt me Ramiz Lladrovcin për demolimin e saj.

Sipas reagimit zyrtar, zyrat e reja të PDK-së ishin marrë me qira dhe më parë ishin në përdorim nga një drejtor i afërt me kryetarin aktual të komunës. Por, sapo u bë publike se ato ambiente do të shfrytëzoheshin nga PDK, “zyra u dëmtua dhe u demolua nga të apostrofuarit”, thuhet në deklaratë. PDK e konsideron këtë veprim si të qëllimshëm dhe politik, transmeton lajmi.net

Partia thotë se ndarja e Ramiz Lladrovcit nga PDK-ja dhe krijimi i një iniciative të re është përpjekje për të përçarë partinë në këtë komunë, por shton se Drenasi ka qenë dhe do të mbetet “shtyllë e pathyeshme e PDK-së”. Sipas saj, reagimet e ashpra dhe shpifjet janë pasojë e frikës nga humbja.

PDK bën thirrje për qetësi dhe fushatë të qetë, duke ftuar qytetarët e Drenasit të mos bien pre e provokimeve dhe të bashkohen për, siç thonë ata, një “fitore masive”.

PDK në Drenasdo të garoj me Petrit Hajdarin në zgjedhjet lokale.

Reagimi i plotë: 

REAGIM
Të dashur qytetarë,
na duhet të sqarojmë për opinionin se vendosja në zyre të reja e Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Drenas, vjen si rezultat i faktit që themeluesi i iniciativës qytetare që ka qëllim ta përcajë PDK-në ka dalë zyrtarisht nga Partia Demokratike e Kosovës.
Tani është e qartë që shpifjet për PDK-në po bëhen intenzive sepse të gjithë e dinë që Drenasi është shtyllë e pathyeshme e PDK-së dhe e tillë do të vazhdojë të mbetet. Zyra paraprake nga e cila ka dalë z. Lladrovci, sic e thotë edhe vetë ai, është e familjarëve të tij.
Ndërkohë, zyra në të cilën është vendosur PDK – Dega në Drenas, ka qenë në shfrytëzim nga një drejtor i z. Lladrovci dhe disa zyrtarë komunalë. Me të marrë lajmin se këto ambiente i kishte marrë me qera Dega e PDK-së në Drenas, ambientet e zyrës janë demoluar dhe dëmtuar nga të apostrofuarit.
Ne jemi në garë politike, por jemi të gjithë qytetarë të Drenasit dhe të gjithë do të përfitojnë nga qeverisja e mirë e PDK-së. Ata që tashmë e kanë të qartë që do të humbasin, po përpiqen të godasin me insinuata. Por, situata është e qartë: ne i kemi ftuar dhe i ftojmë të gjithë që t’i bashkohen fitores së madhe të PDK-së. Në anën tjetër, i ftojmë simpatizantët e shumtë të PDK-së që t’i përjetojnë me qetësi këto provokime. Fitorja do të jetë masive, por praktika të tilla, me të cilat është mësuar z. Lladrovci, nuk do të ketë në këtë fushatë.
Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur probleme në Drenas në aspektin politik. PDK e ka përkrahur z. Lladrovci në tri gara elektorale, por PDK është më e madhe se cdo individ dhe kur i nënshtrohesh garës, duhet ta pranosh rezultatin.
Themeluesi i Iniciativës së ndarjes nga PDK-ja, si anëtar i Këshillit Drejtues, e ka votuar edhe vetë propozimin që kryesia qendrore të votojë për kandidatët e komunave me ushtrues detyre. E ndërroi gëzofin, sepse s’po e kapërdin dot rezultatin.
Ne zotohemi për garë të qetë, demokratike e fer bashkë me qytetarët e Drenasit. PDK e ka dëshmuar vazhdimisht që është e pjekur dhe e aftë për këtë gjë.
Me respekt,
Partia Demokratike e Kosovës – dega Drenas./lajmi.net/