Specialja sërish e cilëson të papërgatitur Policinë e Kosovës për arrest shtëpiak – kjo është njëra nga arsyjet e refuzimit të lirimit me kusht të Veselit, Selimit e Krasniqit

Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar kërkesat për lirim me kusht të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke mbështetur vendimin e shkallës së parë. Sipas Panelit të Apelit, nuk është gjetur asnjë gabim në vendimin paraprak, duke konfirmuar mbajtjen në paraburgim të tre ish-krerëve të UÇK-së. Vendimi thekson se, edhe pse Prokuroria…

Lajme

15/08/2025 20:57

Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar kërkesat për lirim me kusht të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke mbështetur vendimin e shkallës së parë.

Sipas Panelit të Apelit, nuk është gjetur asnjë gabim në vendimin paraprak, duke konfirmuar mbajtjen në paraburgim të tre ish-krerëve të UÇK-së.

Vendimi thekson se, edhe pse Prokuroria ka përfunduar me paraqitjen e dëshmitarëve dhe nuk është vërejtur rrezik për arratisje apo përsëritje të veprës penale, masat alternative të ofruara – përfshirë arrestin shtëpiak – janë vlerësuar të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë e procesit gjyqësor.

Në veçanti, gjykata ka vlerësuar se Policia e Kosovës nuk ofron garanci të mjaftueshme për të parandaluar komunikimin e mundshëm të të akuzuarve me persona të jashtëm, përfshirë dërgimin e mesazheve të koduara përmes familjarëve, transmeton lajmi.net

Në rastin e Veselit, edhe mbrojtja kishte pranuar se njëra nga përgjigjet e Policisë ndaj kërkesave të tyre nuk kishte qenë e plotë.

Megjithatë, kërkesa që gjykata të kërkonte më shumë informacione nga Policia është refuzuar, me arsyetimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme për të besuar se një informacion shtesë do të ndryshonte situatën.

Gjykata sqaroi se nuk është e detyruar të eksplorojë çdo masë të mundshme që palët nuk e kanë propozuar vetë, dhe se nuk kishte as baza realiste për ndonjë garanci tjetër nga autoritetet kosovare.

Përfundimisht, Apeli vendosi të mbajë në fuqi vendimin për paraburgim, duke mos lënë asnjë hapësirë për lirim me kusht për Veselin, Krasniqin dhe Selimin – pavarësisht faktit se faza e dëshmitarëve të Prokurorisë ka përfunduar./lajmi.net/