“Pse nuk po na lejoni me blloku Kuvendin ende”, Gruda për sulmet që VV po ia bën Gjykatës: Aktgjykimi duhet të zbatohet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi në emisionin “RTK Prime” se pas muajve të tërë të bllokadës në Kuvendin e Kosovës, i gjithë debati ishte përqendruar rreth një argumenti: opozita ka thënë se nuk lejohet votimi i fshehtë, ndërsa pushteti ka insistuar se lejohet. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se nuk…

Lajme

12/08/2025 22:11

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, deklaroi në emisionin “RTK Prime” se pas muajve të tërë të bllokadës në Kuvendin e Kosovës, i gjithë debati ishte përqendruar rreth një argumenti: opozita ka thënë se nuk lejohet votimi i fshehtë, ndërsa pushteti ka insistuar se lejohet. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se nuk lejohet votimi i fshehtë.

“Unë mendoj se arsyeja pse Gjykata Kushtetuese po sulmohet nga pushteti, është se në prapavijë fshihet një pakënaqësi: ‘Pse nuk po na lejoni ende me blloku Kuvendin e Kosovës’”, tha Gruda.

Sipas tij, e drejta mbetet në anën e Gjykatës, por problemi është se aktgjykimi u ka hequr nga dora pushtetarëve një mjet të rëndësishëm, “mjetin e bllokadës”.

“Unë mendoj që nuk ka lexim të PDK-së apo të VV-së, ose të tjerëve; ka vetëm një lexim profesional që duhet t’i bëhet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne sot e kemi të plotë dispozitivin e aktgjykimit, me gjuhën e publikut, e kemi pjesën urdhëruese dhe ajo nuk do të ndryshojë në asnjë pikë, edhe kur të publikohet aktgjykimi i plotë. Ne jemi duke pritur vetëm pjesën e arsyetimit; ajo që mund të ndryshojë janë vetëm detajet teknike”, theksoi ndër të tjera Gruda.