​“Prishtina pa barriera”, 22 lokacione të adaptuara për personat me aftësi të kufizuara

Ekipi i Komunës së Prishtinës së bashku me IHRC, ka ndërhyrë në 22 lokacione për t’i mundësuar lëvizje më të lehtë personave me nevoja të veçanta. Kjo është bërë në kuadër të fushatës “Prishtina pa barriera”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, tha se projektet e mëdha si platforma…

Lajme

11/08/2025 14:53

Ekipi i Komunës së Prishtinës së bashku me IHRC, ka ndërhyrë në 22 lokacione për t’i mundësuar lëvizje më të lehtë personave me nevoja të veçanta.

Kjo është bërë në kuadër të fushatës “Prishtina pa barriera”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, tha se projektet e mëdha si platforma që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me qendrën, krijimi i hapësirave të gjelbra publike dhe digjitalizimi i shkollave, do t’ua lehtësojë lëvizjen të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre me aftësi të kufizuara.

“Jemi në proces e sipër të transformimit të kryeqytetit në fusha të ndryshme, projekte të mëdha si platforma e cila ndërlidhë Arbërinë me qendrën, ajo ka me qenë një lehtësim super i madh, për të gjithë personat, e posaçërisht për ata me aftësi të kufizuara. Po ashtu, krijimi i hapësirave të gjelbra publike për qytetarët dhe këmbësorët, edhe ajo është pjesë e programit tonë që ndërlidhet drejtpërdrejtë me krijimin e kushteve më të mira për secilin qytetarë, me fokus për personat me aftësi të kufizuara. Në shkolla digjitalizimi dhe kjo ndihmon për personat me aftësi të kufizuara“, tha Rama.

Ndërsa, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala tha se kjo fushatë nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por edhe të moshuarit e grave me fëmijë me karroca, ku në 22 lokacione më së shumti kanë hasur në mungesë uljesh të trotuareve e mbajtësve të shkallëve.

Shala theksoi se një ndihmesë e madhe ka qenë edhe nga qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë dërguar foto të lokacioneve.

“Prishtina pa barriera, nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta por për të gjithë njerëzit me vështirësi në lëvizje, përfshirë edhe të moshuarit, me fëmijë me karroca dhe të gjithë të tjerët.. Kemi bërë në total numrin e lokacioneve 22 me mesataren e përfundimit 58.5 për qind të të gjitha punimeve të planifikuara.. Kemi pasur ndihmesë edhe nga të gjithë qytetarët e Prishtinës që kanë dërguar foto të lokacioneve. Gjatë të gjitha identifikimeve që i kemi bërë nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, më së shumti kemi hasur në mungesë uljesh të trotuareve, të mbajtësve të shkallëve.. Kjo fushatë nuk mbaron këtu, do të vazhdojë tutje derisa të bëjmë Prishtinën një qind për qind pa barriera”, tha Shala.

Rama dhe Shala kërkuan mbështetje nga qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë me komunën për të evidentuar lagjet që nuk kanë qasje për qytetarët me aftësi të kufizuara.