​Arrestohet i dyshuari për vrasjen e mbrëmshme në Zhur të Prizrenit

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në Zhur të Prizrenit. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili bëri të ditur se gjatë bastisjes është gjetur edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Viktima që u qëllua me thikë…

Lajme

11/08/2025 10:05

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në Zhur të Prizrenit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili bëri të ditur se gjatë bastisjes është gjetur edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Viktima që u qëllua me thikë mbrëmjen e së dielës ishte dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit e më pas në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ku edhe vdiq si pasojë e plagëve që mori.

Policia ishte njoftuar për këtë rast pas orës 21:00 të dielën më 10 gusht.

“Më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, viktima, mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, tha Policia.

Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

“Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Hoçë e Qytetit ku kishte ndodhur incidenti si dhe në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe fillimisht ishte arratisë. Njësitet policore kanë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive dhe arrestimin e të dyshuarit. I dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar, gjatë bastisjes është gjet edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast”, bëri të ditur Policia.