“Kryetari i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur” – krejt çka u tha dje pas vendimit të Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka publikuar pjesën kryesore të aktgjykimit të saj të ri lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke mos i dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje për kërkesat e saj në lidhje me votimin e fshehtë për kryeparlamentarin. Në njoftim janë përfshirë edhe tre urdhra për kryesuesin e seancës dhe për deputetët e rinj të…

Lajme
Gjykata Kushtetuese ka publikuar pjesën kryesore të aktgjykimit të saj të ri lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke mos i dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje për kërkesat e saj në lidhje me votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.
Në njoftim janë përfshirë edhe tre urdhra për kryesuesin e seancës dhe për deputetët e rinj të Kuvendit.
Në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese refuzon dy kërkesat e Vetëvendosjes për votimin e fshehtë dhe për përsëritjen e pakufizuar të propozimeve për kryeparlamentarin nga i njëjti deputet.
Në njoftimin e publikuar të premten, Kushtetuesja i ka dhënë tre urdhra të qarta:
I pari është për kryesuesin e seancës, për ta rikthyer votimin e hapur.
Urdhri i dytë është për të gjithë ligjvënësit. Ata detyrohen që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Edhe i treti është për të gjithë. Kushtetuesja i obligon që brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, me të cilin hap konstituohet legjislatura e re.
Gjykata thekson se ligjvënësit nuk kanë vepruar në përputhje me aktgjykimin paraprak, duke e bërë të pamundur përmbylljen e procesit.
Reagimet e partive politike
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar këtë vendim si vërtetim të qëndrimeve të PDK-së, se Vetëvendosja e ka mbajtur peng Parlamentin qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar, për interesa të ngushta pushteti.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi.”, ka thënë Krasniqi.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar vendimin si fitore për demokracinë.
“Votimi i fshehtë nuk pranohet. Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës. Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saj si mburrje.”, shkroi Abdixhiku.
Ndërkaq, Vetëvendosje në një reagim pasdite ka sulmuar ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe shpikje arbitrare të rregullave.
Reagime ndërkombëtare
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar nga partitë politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të punojnë për tejkalimin e ngërçit institucional. Në një deklaratë të publikuar në ‘Facebook’, BE-ja thekson rëndësinë e kompromisit dhe procedimit të formimit të institucioneve.
“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi me procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe Zëvendëskryetarëve. Nuk ka më kohë për të humbur në një ngërç politik!”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Ambasada Gjermane në Kosovë gjithashtu ka bërë thirrje për zgjidhje brenda afateve ligjore dhe bashkëpunim politik.
“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me të, në mënyrë që kosovarët më në fund të marrin parlamentin për të cilin kanë votuar para gjashtë muajsh. Ne presim një zgjidhje të realizueshme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi.”, tha Ambasada për RTK.
Derisa aktgjykimi të shpallet në Gazetën Zyrtare, do të mbetet në fuqi masa e përkohshme që ndalon deputetët të marrin vendime për konstituimin e Kuvendit. Pas publikimit zyrtar, ligjvënësit do të kenë 30 ditë kohë për të përmbyllur seancën konstituive.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk ka specifikuar në aktgjykim pasojat kushtetuese në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda këtij afati.