Igor Popoviq pranon fajësinë për nxitje të urrejtjes – nesër mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë, të arritur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Igor Popoviq. Popoviq, i cili ushtron funksionin e ndihmësdrejtorit në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte…

Lajme
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë, të arritur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Igor Popoviq.
Popoviq, i cili ushtron funksionin e ndihmësdrejtorit në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Më 5 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, për shkak të një fjalimi të mbajtur më 18 korrik në Rahovec, transmeton lajmi
Sipas PSRK-së, Popoviq akuzohet se me dashje dhe qëllim ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
“Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…” , thuhet në njoftim.”
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, Popoviq ka nxitur dhe thelluar mosbesimin e ndërsjellë dhe mosdurimin etnik në Kosovë, duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve.
Po ashtu, PSRK-ja ka njoftuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Seanca dëgjimore për këtë marrëveshje do të mbahet nesër në Prishtinë./lajmi.net/