Gucati: Gjykata Speciale po e kriminalizon UÇK-në dhe NATO-në ndërsa po i shërben Serbisë më shumë se drejtësisë

Kryetari i OVL-UÇK-së ka nisur fjalimin e tij në protestën kundër Gjykatës Speciale të Hagës në Prishtinë, duke thënë se sot veteranët e UÇK-së janë krenarë që qytetarët janë në numër kaq të madh kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale. “Kjo Gjykatë ne e dimë që është e njëanshme, kundër UÇK-së dhe shtetit të Kosovës. Ne…

Lajme

07/08/2025 17:29

Kryetari i OVL-UÇK-së ka nisur fjalimin e tij në protestën kundër Gjykatës Speciale të Hagës në Prishtinë, duke thënë se sot veteranët e UÇK-së janë krenarë që qytetarët janë në numër kaq të madh kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale.

“Kjo Gjykatë ne e dimë që është e njëanshme, kundër UÇK-së dhe shtetit të Kosovës. Ne kemi dit që të jemi bashkë gjithmonë kur është rrezikuar identiteti jonë dhe jemi bashkuar edhe sot sepse po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës sonë, po rrezikohet pavarësia jonë sepse Gjykata Speciale e ka devijuar misionin e saj. Gjykata Speciale po e deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë që e ka përdhosur kjo Gjykatë po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se luftëtarët e UÇK-së janë përgjigja legjitime e popullit tonë kundër një regjimi kriminal siç ishte i i Serbisë në krye me Millosheviqin, ndërsa ka thënë se lufta e UÇK-së ishte një rezistencë popullore kundër spastrimit etnik, dhunimeve, vrasjeve dhe zhdukjes së identitetit shqiptar në Kosovë.

“Nuk ka Gjykatë në Kosovë që mund ta zhbëj këtë të vërtetë të popullit tonë, kjo Gjykatë me veprat e saj të njëanshme dhe me përzgjedhjen selektive të individëve vetëm nga pala e shqiptarëve po përpiqet ta përmbys historinë në favor të Serbisë. ajo po tenton të krijoj narrativën e rremë sikur Kosova është çliruar nga kriminelët, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër, UÇK bashkë me NATO-n në krye me Amerikën ka çliruar Kosovën nga kriminelët e Beogradit dhe makineria shtetërore e dhunës dhe terrorit që bëri në dekada dhe mbajti nën robëri një popull të tërë”, ka shtuar Gucati.

Ai ka thënë se sot kjo Gjykatë në Hagë po gjykon aleatët e NATO-s, Hashimin, Kadrinë, bacin Jakup, Rexhepin, Calin dhe Pjetër Shalën.

“Kjo Gjykatë nuk i ka hetuar krimet e vërteta të luftës, ato të ushtrisë, policisë dhe paralamitarëve serbë që masakruan dhe zhdukën me dhjmetëra mijëra shqiptarë. Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së, kriminalizim i NATO-së dhe pavarësisë së Kosovës. Lufta e UÇK-së ka qenë dhe do të mbetet një ndër luftërat më të pasura në historinë moderne sepse ishte një luftë për liri dhe për të drejtat themelore për të jetuar të lirë në vendin tonë.  Serbia që nga fillimi përmes kësaj Gjykatë në Hagë e cila që nga fillimi më shumë i ka shërbyer Serbisë sesa drejtësisë, mund të përpiqet ta pastroj imazhin e saj kriminal, por e vërteta nuk fshihet dot. Dëshmitë janë të gjalla, plagët janë të hapura dhe populli i Kosovës nuk i harron”, ka thënë ai. /Lajmi.net/