A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër?

Teksa punimet për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen fundit, ka shqetësime për funksionalitetin e tyre. Ka mbetur më pak se një muaj deri në afatin e fundit për përfundimin e punimeve, të paktën ashtu siç ka deklaruar kryeministri ë detyrë Albin Kurti, në vendosjen e gurthemeleve. Dy…

Lajme

04/08/2025 18:32

Teksa punimet për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen fundit, ka shqetësime për funksionalitetin e tyre.

Ka mbetur më pak se një muaj deri në afatin e fundit për përfundimin e punimeve, të paktën ashtu siç ka deklaruar kryeministri ë detyrë Albin Kurti, në vendosjen e gurthemeleve.

Dy njohës të çështjeve juridike dhe të sigurisë, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Visar Rrecaj, kanë folur mbi fatin e këtyre urave që priten të lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit të ndarë.

Sipas Sopjanit, nuk duhet përjashtuar skenari ku në ditën e përurimit të urës, KFOR-i mund të vendosë patrulla në të dhe të lejojë vetëm kalimin e këmbësorëve, njësoj siç ka ndodhur me urën kryesore të qytetit.

“Nuk përjashtohet mundësia në asnjë rrethanë që KFOR-i në ditën e inaugurimit t’i vendos dy patrulla në urë, dhe të thotë se mund të kalojnë vetëm këmbësorë, sikur në këtë urën kryesore. Pasi që ata mund të dalin më një vlerësim të situatës së sigurisë, që mund të vlerësojnë që qarkullimi  i automjete mund të cenojë edhe sigurinë përgjithshme në atë pjesë”, ka thënë Sopjani.

Në të njëjtën linjë, avokati Rrecaj thekson se ndërtimi i urave në të njëjtën vijë me atë ku ndodhet KFOR-i i vendosur, krijon rrezik të përsëritjes së masave ekzistuese.

Sipas tyre, ndërtimi i këtyre urave është më shumë një veprim simbolik dhe populist sesa një zgjidhje reale./dukagjini