Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani: Specialja po i interpreton gabimisht ligjet

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka folur në lidhje me rrjedhën e proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai tha se Ligji mbi Dhomat e Specializuara i ka specifikuar qartë se cilat ligje aplikohen. Por, ai shprehu keqardhje për faktin se, siç…

Lajme

02/08/2025 19:00

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka folur në lidhje me rrjedhën e proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai tha se Ligji mbi Dhomat e Specializuara i ka specifikuar qartë se cilat ligje aplikohen.

Por, ai shprehu keqardhje për faktin se, siç u shpreh, “ne e kemi legjitimuar me vendim të cilin e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, dhe Kuvendi i Kosovës i ka përcaktuar në mënyrë taksative se cilat ligje aplikohen”.

“Nuk mund të themi se nuk po i aplikon (ato ligje). Mirëpo, kur të kemi të bëjmë me Sali Mustafën, ato kanë cenuar një standard i cili është i vendosur kaherë me shekuj në të drejtën penale, se duhet të aplikohet ligji më i butë. Domethënë, nëse nga koha e kryerjes së veprës penale deri kur të gjykohet personi, disa herë ka ndryshuar ligji, gjithmonë zgjidhet ai ligj i cili ka qenë më i favorshëm, i ndryshuar në favor të të pandehurit. Dhe këtë dimension nuk e kanë zbatuar te rasti i Sali Mustafës”, thotë ish-kryetari i Supremes.

Sipas Hasanit, ligjet janë duke u aplikuar por duke u interpretuar gabimisht.

“Janë duke i aplikuar ligjet, por janë duke i interpretuar gabimisht për faktin se ato po i referohen një ndryshimi të ligjit që ka ndodhur nga ana e Kushnerit, sepse Kushneri e ndryshoi ligjin që aplikohej në Kosovë me ardhjen në pushtet si përfaqësues special i OKB-së, e hoqi dënimin me vdekje, mirëpo një periudhë kohore e la pezull se çfarë ndodh me atë çështje penale që deri në atë moment ka qenë i paraparë dënimi me vdekje”.

“Kur reaguan gjyqtarët e Kosovës se çfarë ka ndodhur me këtë, atëherë e bënë ndryshimin e dytë duke e paraparë dënimin deri në 40 vjet. Gjithmonë po i referohen se këtij ndryshimi 40 vjet se kanë të drejtë për me shqiptu dënim mbi 15 vjet”, potencoi ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.