Policia e konfirmon sulmin ndaj deputetit Adem Hoxha që bashkë me familjen përfunduan në spital

Një përleshje e ndodhur pasditen e së enjtes në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit ka rezultuar me lëndimin e tre anëtarëve të një familjeje, ndërsa policia ka ndaluar një të dyshuar në lidhje me rastin. Gjatë mëngjesit u raportua në media, se personi i cili u sulmua në Dragash është deputeti i Kuvendit të…

Lajme

02/08/2025 12:29

Një përleshje e ndodhur pasditen e së enjtes në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit ka rezultuar me lëndimin e tre anëtarëve të një familjeje, ndërsa policia ka ndaluar një të dyshuar në lidhje me rastin.

Gjatë mëngjesit u raportua në media, se personi i cili u sulmua në Dragash është deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 18:30, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash ka raportuar për një person të lënduar që ishte paraqitur për trajtim mjekësor. Viktima është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku, sipas mjekëve, ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Rastin për Lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ku dha detaje lidhur me ngjarjen.

“Pas marrjes së informacionit, patrullat e Stacionit Policor në Dragash, së bashku me njësitin e hetimeve dhe hetues rajonalë, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur të gjitha informacionet relevante”, tha Bytyqi.

Sipas tij, viktimat e përfshira në incident janë një qytetar i identifikuar me inicialet A.H., bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre e mitur. Motivet që çuan në përleshjen fizike ende nuk janë bërë të ditura.

“Rasti është iniciuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, deklaroi zëdhënësi Bytyqi.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit./Lajmi.net/