Inspektorati Policor i Kosovës hap zyra të reja në Mitrovicën e Veriut

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur sot zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë  Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC,  IPK dhe Policia e Kosovës. Zyrat e reja…

Lajme

18/07/2025 13:05

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur sot zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë  Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC,  IPK dhe Policia e Kosovës.

Zyrat e reja të IPK-së tani janë në lagjen e Boshnjakëve, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një  hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës .

Ministri i Brendshëm z. Sveçla dhe Kryeshefi i IPK-së z. Hodaj  theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit  në Kosovë.

Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministri i Brendshëm gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ai shtoi se hapja e zyrave te reja do të kontribuojë në fuqizimin e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës.

Përgjatë viteve, IPK ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur  deri dje në një objekt me qera në rrugën “Mbreti Peter”.

Zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.