Dyshimet për spiunazh- Prokuroria Speciale me aksion bashkë me IPK-në dhe AKI-në

Një aksion i gjerë në të cilën po hetohet vepra e spiunazhit është duke u zhvilluar në vend. Prokuroria Speciale ka njoftuar se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës si dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjence, në lidhej me dyshimet për kryerjen e veprës…

Lajme

17/07/2025 09:50

Një aksion i gjerë në të cilën po hetohet vepra e spiunazhit është duke u zhvilluar në vend.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës si dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjence, në lidhej me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit, raporton lajmi.net.

“Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu u tha se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi.

Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor./Lajmi.net/