“Hajde në shtëpi se e kanë vrarë motrën tënde”, Leonard Ademaj flet për ditën kritike, tregon për sjelljen e Naim Murselit gjatë varrimit
Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona Ademajt e cila dyshohet të jetë vrarë nga ish bashkëshorti i saj, Naim Murseli me dy bashkëpunëtorë, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, ka dëshmuar sot para Gjykatës për ditën kritike. Ai ka thënë se lajmin për vdekjen e saj e ka marrë nga bashkëshortja e tij në telefon.…

Lajme
Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona Ademajt e cila dyshohet të jetë vrarë nga ish bashkëshorti i saj, Naim Murseli me dy bashkëpunëtorë, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, ka dëshmuar sot para Gjykatës për ditën kritike.
Ai ka thënë se lajmin për vdekjen e saj e ka marrë nga bashkëshortja e tij në telefon.
“Kam qenë në lokal në fshatin tim duke punuar. Më ka thirrur bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë: E paskan vra Liridonën. Si kishte shumë njerëz në lokal, nuk e dëgjova mirë a ishte fjala për motrën time Liridonën apo për djalin e axhës, po ashtu Liridon. Pastaj nuk vonoi shumë dhe erdhi thirrja e dytë, më tha: Hajde në shtëpi, se e kanë vra motrën tënde, Liridonën”, tha Ademaj sot në Gjykatë.
Ai ka thënë që menjëherë pas kësaj, ai i ka marrë prindërit dhe ka shkuar drejt spitalit të Gjakovës që t’iu jepte qetësues atyre.
Ademaj ka rrëfyer pastaj edhe për varrimin e ku thotë se Naim Murseli ka ardh pasi që ka ardh trupi i Liridonës aty.
“E kam thirr i kam thënë Naim ku je, pse s’je ardh hala, më tha që fëmijët kanë pas me u marrë në pyetje, rrugës jam tu ardh. Pasi ka arritur Liridona ka ardh edhe Naimi në ora 11:00 dhe pastaj është kryer ceremonia e varrimit. Në fakt gjatë varrimit qetësia e Naimit së bashku me Kushtrimin nga mërzia që prisnim ne që ata të qanin, po rrinin shumë të ftohtë, po ashtu në raport edhe me mediat të cilat ishin prezent”, ka thënë Murseli.
Në lidhje me arrestimin e Murselit e Plavës, Leonardi ka thënë se e kanë kuptuar nga mediat.
“Ne e kemi pa në gazeta që është arrestuar Granit Plava, pas pak minutash kemi marrë vesh edhe për arrestimin e Naim Murselit, pastaj edhe për arrestimin e Kushtrim Kokallës. Për ne ishte tronditëse fakti se dyshimet tona veç sa u konfirmuar, por mendja nuk na lejojke asesi që të besojmë se në shtëpinë tonë ka ardh vetë Naim Murseli. Pastaj, familjarët, fshati po ashtu edhe dajtë, kemi kërkuar që ta varrosim trupin direkt në fshat”, ka shtuar Leonardi në dëshminë e tij në Gjykatë.
Naim Murseli është paraqitur në seancë, pasi që pas ekzaminimeve psikiatrike, ka rezultuar se ky i fundit është në gjendje të rregullt mendore dhe mund të vijojë seancat e mëtejme gjyqësore.