Aksion kundër bixhozit të paligjshëm në Pejë, Policia arreston dy persona dhe sekuestron pajisje elektronike
Dy persona janë arrestuar në Pejë nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në një lokal në qytet. Sipas njoftimit të Policisë, aksioni u ndërmor pas pranimit të informacioneve se në një lokal në rrugën “Mehmet Akif Peja” po zhvilloheshin aktivitete të…
Lajme
Dy persona janë arrestuar në Pejë nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në një lokal në qytet.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni u ndërmor pas pranimit të informacioneve se në një lokal në rrugën “Mehmet Akif Peja” po zhvilloheshin aktivitete të kundërligjshme të lojërave të fatit.
Sektori Rajonal për Hetime në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me asistimin e zyrtarëve të Stacionit Policor në Pejë, realizoi kontrollin dhe bastisjen e lokalit më 24 qershor, me autorizimin përkatës ligjor.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi shtatë telefona mobilë, një DVR dhe një kompjuter portativ, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën hetimore.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit kompetentë, ndërsa pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të organit kompetent janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e dyshuara tek autoritetet përkatëse. /Lajmi.net/