Haradinaj “godet” Gjykatën Kushtetuese: Vendimi i saj, në linjë me qasjen e Kurtit për grusht shtet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor, lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kritikuar qasjen e Gjykatës, duke thënë se vendimi nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e situatës institucionale në të cilën ndodhet vendi. I ftuar në emisionin “Rubikon”…

Lajme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor, lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kritikuar qasjen e Gjykatës, duke thënë se vendimi nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e situatës institucionale në të cilën ndodhet vendi.
I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj tha se vendimi i Kushtetueses është në përputhje me interesat e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe sipas tij, afati prej 30 ditësh i lënë për konstituimin e Kuvendit nuk ka ofruar zgjidhje konkrete për krizën politike, transmeton lajmi.net.
“Pak a shumë jam i zhgënjyer me Gjykatën Kushtetuese. Po ju tregoj dy elemente pse: Gjykata Kushtetuese nuk ka lëndë përditë, ka lëndë vetëm kur ia dërgon një palë. Nuk është si gjykatat e zakonshme që i ka një mijë lëndë e kur i shkon edhe një, duhet me pritë kur i vjen rendi,” deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se Kushtetuesja ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të sigurisë institucionale të vendit, por që nuk e ka trajtuar me urgjencë situatën aktuale politike. “Së pari jam habitur që i ka marrë 60 ditë me kthy përgjigje për një temë që është bukur me urgjencë në vend… kjo lëndë ka mund të trajtohet për një periudhë dyjavore edhe na ia kishim fituar Kosovës edhe gjashtë javë tjera.”
Haradinaj kritikoi ashpër gjyqtarët e Kushtetueses, duke thënë se vendimi i tyre i shkon përshtat qasjes së Kurtit për ta mbajtur vendin nën një “grusht shteti”. “Duke qenë kështu, kam drojë se edhe ky vendim është pak a shumë në qasjen e Kurtit për me mbajt një grusht shteti në Kosovë. Ky vendim nuk ka qenë i qartë sa me pengu një grusht shtet që po ndodhë në Kosovë,” u shpreh ai. /lajmi.net/