Cakolli reagon pas vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan: nuk ka rëndësi çfarë veprimesh kishte bërë paraprakisht, Agoni ka vdekur në duart e shtetit

Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar ashpër ndaj vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur hetime nga IPK dhe Prokuroria.   Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Cakolli e cilësoi rastin si vrasje nga brutaliteti policor dhe theksoi se nuk ka asnjë rëndësi…

Lajme

08/07/2025 22:06

Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar ashpër ndaj vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur hetime nga IPK dhe Prokuroria.

 

Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Cakolli e cilësoi rastin si vrasje nga brutaliteti policor dhe theksoi se nuk ka asnjë rëndësi nëse viktima ka qenë nën ndikim të substancave – ajo që ka rëndësi, sipas tij, është fakti që ai ka humbur jetën në duart e shtetit.

 

“Hiç, asnjë pikë rëndësie nuk ka se çfarë veprimesh kishte bërë paraprakisht Agon Zejnullahu. […] Agoni ka vdekur, para së gjithash, në duart e shtetit,” ka shkruar ai.

 

Cakolli iu referua pamjeve që qarkullojnë në rrjet, duke thënë se mënyra e ndërhyrjes policore ishte brutale dhe e ndaluar ligjërisht, veçanërisht vendosja e gjurit mbi qafën dhe shpinën e një personi të shtrirë përtokë.

 

“Kjo nuk është vetëm një praktikë e ndaluar, por edhe një shenjë e qartë e mosdijes dhe mosnjerezillëkut,” shtoi ai.

 

Tutje, ai kritikoi ashpër tendencat për të relativizuar rastin përmes krahasimeve me sukseset e Policisë në veri të vendit, duke thënë se asnjë rezultat operacional nuk e justifikon mbytjen e një qytetari tjetër në pjesë të tjera të Kosovës.

 

Cakolli kërkoi përgjegjësi politike dhe institucionale, duke theksuar se nuk mjafton që zyrtarët të lavdërohen në raste suksesi, ndërsa heshtin kur ndodhin tragjedi.

 

“Ky shtet nuk ka dy polici apo dy ministri të Punëve të Brendshme — një që kujdeset për veriun dhe një tjetër për pjesën tjetër të vendit. Ka vetëm një, andaj edhe përgjegjësia është e pandashme,” përfundon reagimi.

Postimi i plotë i Cakollit: