Rama: Shpresoj që kryetar i Prishtinës në vjeshtë të jetë ai që e meriton
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se shpreson që pas tetorit, kryetar i kryeqytetit të jetë “ai që e meriton”. Ai tha se “është mirë” që kjo nuk vendoset me vendim nga individë si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili i tha atij sot se në vjeshtë, kur mbahen zgjedhjet lokale, duhet të gjejë…

Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se shpreson që pas tetorit, kryetar i kryeqytetit të jetë “ai që e meriton”.
Ai tha se “është mirë” që kjo nuk vendoset me vendim nga individë si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili i tha atij sot se në vjeshtë, kur mbahen zgjedhjet lokale, duhet të gjejë punë tjetër.
“Është mirë që është te vota e kryeqytetit, e qytetarëve të kryeqytetit, jo te personat individualë që e marrin këtë vendim, prandaj qytetarët e kryeqytetit le ta vendosin kush është meritor, a është ai që ka punu me zemër e me shpirt gjatë këtyre katër viteve për me e transformu kryeqytetin, apo ata të cilët e kanë sabotu dhe e kanë blloku”, tha Rama.
Rama tha se “unaza e jashtme është jetike për kryeqytetin”, ndërsa tregoi sfidat që tha se i ka pasur për të bashkëpunuar me nivelin qendror.
“Qytetarët qartazi e shohin kush është duke punu”, tha ai në T7.
Rama tha se i ka kërkuar Kurtit disa herë që të takohen.
“Ja që kryeministri nuk e ka pa të rrugës që të vijë sepse thotë ‘jemi ende të lënduar që na e ke marrë Prishtinën’”, tha ai.