Gjykimi për mashtrim, njëri i akuzuar thotë se nuk e di për çfarë po akuzohet
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lutfi dhe Salih Zariqi po akuzohen për mashtrim, të hënën gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Salih tha se nuk e di se për çfarë po akuzohet. “Unë s’e di çfarë krimi kam bërë që po akuzohem, atë dokumentacion nuk e kam përpiluar unë”, tha i akuzuari Salih…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lutfi dhe Salih Zariqi po akuzohen për mashtrim, të hënën gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Salih tha se nuk e di se për çfarë po akuzohet.
“Unë s’e di çfarë krimi kam bërë që po akuzohem, atë dokumentacion nuk e kam përpiluar unë”, tha i akuzuari Salih Zariqi.
Gjatë dhënies së mbrojtjes, ai deklaroi se prona në fjalë u është dhënë atëkohë nga Komuna e Prishtinës. Tha se në atë procesverbal është shkruar se iu është dhënë një pjesë e pjesërishme e tokës e cila u është marrë për varreza dhe rrugë të asfaltuar nga Komuna e Prishtinës.
I akuzuari Salih tha se kjo pronë u është dhënë si pjesë e kompensimit të tokës që ua kishin marrë. Sipas tij, në atë kohë nuk ka pasur ndonjë ankesë apo kërkesë nga persona të tretë lidhur me parcelën në fjalë.
I pyetur nga prokurorja e rastiti, Rukije Shasivari, nëse ka qenë në dijeni për historiatin e parcelës, i akuzuari Salih Zariqi tha se është njoftuar dhe se e ka parë listën poseduese që është pronë e Komunës.
Sipas tij, janë informuar për posedimin e pronës nga pala e dëmtuar pas 4-5 viteve, pas vitit 1992, kur këta të fundit kishin bërë ankesë në Komunë.
Avokati i palës së dëmtuar, Naim Rudari, e pyeti të akuzuarin nëse është në dijeni se është në cilësinë e të akuzuarit për shkak se policia ka ngritur kallëzim penal. I akuzuari tha se nuk e di se për çka akuzohet pasi që nuk ka bërë asgjë.
“Unë nuk e di për çka jam akuzu për shkak se nuk kam bërë asgjë, asnjë krim, nuk kam falsifikuar asnjë dokument, është akuzë e rëndë e pabazuar”, ka deklaruar i akuzuari Salih Zariqi.
Seanca e sotme u ndërpre, për shkak të një seance tjetër urgjente që kishte gjykatësi i rastit, Adnan Kamberi.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinë, në shkurt të vitit 2022 i kishte liruar nga akuza dy të akuzuarit për mashtrim. Por, Gjykata e Apelit në shkurt të 2023-ës rastin ndaj të akuzuarve Salih dhe Lutfi Zariqi e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të vitit 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen se që nga 10 shkurti 1992, dhe në vazhdimësi deri më sot, kanë zhvilluar një procedurë civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata akuzohen se me paraqitjen e fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në bashkëkryerje dhe me marrëveshje paraprake, kanë arritur të ndryshojnë pronarin e një paluajtshmërie në ish-Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Zariqi, pas përpilimit të dokumentit publik të falsifikuar, konkretisht procesverbalin e titulluar “Zapisnik o Usmenoj Raspravi”, e ka përdorur si dokument të vërtetë, në bazë të të cilit është marrë aktvendimi me numër T.nr.64/04, dhe paluajtshmëria, ngastra kadastrale nr. 2708/2, me sipërfaqe prej 47.48 ari nga ish-Kuvendi Komunal, ka kaluar në emër të të pandehurit Lutfi Zariqi.
Më pas, sipas aktakuzës, të pandehurit, përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, kanë nisur një procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me paraqitjen e fakteve të rreme, për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në këtë rast të dëmtuarit H.D. Kjo procedurë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Me këto veprime, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen për bashkëkryerje të veprës penale “Mashtrimi”, sipas nenit 335, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi