Pamje dhe detaje ekskluzive- këta janë zyrtarët policorë që rrahën qytetarin në Klinë, ndalohen për 48 orë
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar dje se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë suspenduar. Të njëjtit u suspenduan për shkak të të dyshimeve për përdorim të forcës së tepruar në një rast. Por kjo nuk është e tëra. Lajmi.net ka publikuar pamjet të cilat tregojnë qartë se në këtë rast është përdorur forcë e…

Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar dje se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë suspenduar.
Të njëjtit u suspenduan për shkak të të dyshimeve për përdorim të forcës së tepruar në një rast.
Por kjo nuk është e tëra.
Lajmi.net ka publikuar pamjet të cilat tregojnë qartë se në këtë rast është përdorur forcë e shtuar gjatë arrestimit të një qytetari, në oborrin e shtëpisë së tij.
Anipse vërehet qartë se i arrestuari nuk kishte bërë ndonjë kundërshtim, njëri nga zyrtarët policorë e godet vazhdimisht në mënyrë brutale, derisa dy të tjerët e mbajnë për krahësh.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”,thuhej ndër të tjerash në njoftim.
Lajmi.net mëson se të pandehurit në këtë rast janë zyrtarët policorë: Nezir Gashi, Enis Elezaj dhe Shkëlqim Saliaj.
Kurse sot zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi është deklaruar para mediave në lidhje me rastin.
Nikçi njoftoi se me datë 28 qershor një patrullë policorë ka shkuar në Klinë për të arrestuar një person të dyshimtë me veprën penale “Kanosja” dhe gjatë arrestimit personi në fjalë është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.
“Në koordinim të plotë me Inspektorati policor janë grumbulluar provat dhe pas analizimit të provave, Prokurori ka parë se ka elemente të veprës penale të keqtrajtimit fizik. Është ushtruar dhunë fizike ndaj personit të pandehur. Të njëjtit sot janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë”, theksoi Nikçi.
Ai tha se çdo veprim hetimor do të bëhet në koordinim të plotë me Inspektoratin Policor.
Viktima në këtë rast fillimisht është liruar pasi që ishte i ndaluar, por pasi që është kuptuar se ka qenë i keqtrajtuar është intervistuar edhe një herë në cilësinë e viktimës./Lajmi.net/