​“As mish, as peshk”, deputeti i LVV-së: LDK-ja të pozicionohet qartë

Lëvizja Vetëvendosje është ende në pritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës, përkundër refuzimit kategorik të partisë së Lumir Abdixhikut. Në LVV kërkojnë nga LDK-ja që “të mos sillet me arrogancë”, por të bashkëpunojnë për tejkalim të krizës politike në Kosovë, përmes marrëveshjes politike. Sipas tyre, LDK-ja nuk duhet të jetë “as mish…

Lajme

30/06/2025 13:29

Lëvizja Vetëvendosje është ende në pritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës, përkundër refuzimit kategorik të partisë së Lumir Abdixhikut. Në LVV kërkojnë nga LDK-ja që “të mos sillet me arrogancë”, por të bashkëpunojnë për tejkalim të krizës politike në Kosovë, përmes marrëveshjes politike.

Sipas tyre, LDK-ja nuk duhet të jetë “as mish dhe as peshk”, por të marrë një pozicion të qartë, “të vijë me LVV-në ose të kthehet me PDK-në”.

Përkitazi me këtë, në partinë e Albin Kurtit janë kundër koalicionit qeverisës me PDK-në, pasi sipas tyre, e njëjta duhet të qëndrojë në opozitë edhe për një mandat.

Kosova, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit, që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë se parapëlqimi i tyre për koalicion qeverisës mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai është kundër koalicionit me PDK-në, ani pse ditët e fundit, zyrtari i lartë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, tha se do të votonte një koalicion me LVV-në.

Megjithatë, në hierarkinë udhëheqëse të PDK-së, vazhdimisht janë shprehur po ashtu kundër koalicionit me LVV-në.

“Ne parapëlqimin tonë e kemi dhënë, ne kemi thënë qartë se dy elektoratet tona, ai i LVV-së dhe LDK-së, janë shumë të afërta njëri me tjetrin. Derisa e kemi bërë këtë, kemi thënë se nuk kemi pëlqyeshmëri për PDK-në. Unë, zotëri Hoxhajn e respektoj në kuptimin e mendimit që ka dhënë, por natyrisht e dini edhe qëndrimin e zotëri Kurtit kur thotë se PDK-ja duhet të rrijë edhe një mandat në opozitë. Në këtë formë, ne tentojmë që të lidhim koalicion me LDK-në, e cila jo vetëm që po na refuzon, por refuzimi i saj ka kaluar në arrogancë. Ne kemi thënë se janë dy blloqe: LVV-ja, e cila ka fituar 42.2 për qind të votës shumicë, që i bie 47 për qind të votës shqiptare, dhe anën tjetër e ke PDK-në, e cila është partia e parë në opozitë. LDK-ja ose duhet të vijë me fituesin e zgjedhjeve ose duhet të kthehet me PDK-në. Këta rrinë në mes, dhe LDK-ja në këto momente nuk është ‘as mish as peshk”, thekson Rexhaj.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë aktgjykimin në lidhje me ngërçin në Kuvendin e Kosovës, ku, mes tjerash, ka obliguar deputetët që brenda tridhjetë ditëve të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Megjithatë, në aspektin e kushtetutshmërisë së votimit të fshehtë, Kushtetuesja ka lënë paqartësi, pasi partitë politike në Kuvend po interpretojnë në forma të ndryshme.

Rexhaj vazhdon të insistojë për nevojën e votimit të fshehtë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“Votimi i fshehtë nuk është antikushtetues, sepse unë si deputet kam të drejtë të votoj në dy mënyra: në mënyrë të hapur dhe të fshehtë. Konsideroj se vota ime duhet të jetë e fshehtë, atëherë nuk mund të ndalohet nga askush, pasi është gjykuar dhe paragjykuar shumë në këtë aspekt. Bllokada nuk mendoj se po bëhet me emrin e zonjës Haxhiu, por ne kemi filluar punën me bllokadë fillestare. Ju kujtohet kur deputetët refuzonin t’i votonin edhe mandatet e tyre. Bllokada ka filluar qysh këtu”, shton ai.

Përkitazi me këtë, Rexhaj është i bindur se LVV-ja, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të formojë qeverinë e re, përkundër se aktualisht nuk i kanë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Nëse konstituohet Kuvendi, ne do të shkojmë drejt formimit të qeverisë së re. Besoj se duhet të konstituohet, pasi është obligim i yni, i të gjithë deputetëve të zgjedhur, ku qytetarët na kanë bartur këtë përgjegjësi. Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, pastaj sigurisht se format sesi bëhen 61 votat për formimin e qeverisë i takon subjektit të parë, dhe aty jemi në sprovë dhe sfidë. Besoj se ne mund t’i bëjmë ato”, thekson Rexhaj.

Deputeti i LVV-së flet edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me Kosovën.

Trump së fundmi, disa herë ka thënë se ka ndaluar Serbinë të niste një luftë në Kosovë. Sipas Rexhajt, SHBA-ja dhe Trump duhet të insistojnë për një marrëveshje Kosovë–Serbi për normalizim të marrëdhënieve dhe përfundim sa më të shpejtë të dialogut.

“Nuk është asgjë e re në deklarimet e presidentit amerikan në lidhje me Kosovën. Ne e dimë qasjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Ata përherë kanë insistuar për një marrëveshje Kosovë-Serbi dhe një dialog që duhet të ketë përfundimin sa më të shpejtë. Trump ka folur në këtë aspekt, që dialogu Kosovë-Serbi të ketë një përfundim në kuptimin e një marrëveshjeje. Ndërkaq, ne i dimë të gjitha përpëlitjet dhe shkeljet e marrëveshjeve që i ka bërë përherë Serbia dhe sulmin terrorist në Banjskë”, përfundon Rexhaj.