Ishin në gjykatë për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” por viktima e atij rasti goditi me çekan të dyshuarin – Gjykata jep detaje për rastin në Suharekë

Sot, rreth orës 11:00 në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë ka ndodhur një incident mes dy personave që ishin të ftuar për shqyrtim gjyqësor. Zëdhënësi i kësaj Gjykate, Marcel Lekaj ka thënë përmes një komunikate për media se ata ishin për shqyrtimin fillestar të një rasti për “lëndim të lehtë trupor” që kishte…

Lajme

18/06/2025 15:32

Sot, rreth orës 11:00 në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë ka ndodhur një incident mes dy personave që ishin të ftuar për shqyrtim gjyqësor.

Zëdhënësi i kësaj Gjykate, Marcel Lekaj ka thënë përmes një komunikate për media se ata ishin për shqyrtimin fillestar të një rasti për “lëndim të lehtë trupor” që kishte ndodhur më datë 28 dhjetor të vitit të kaluar.

H.K, viktima e atij rasti sot ka goditur me çekan B.B, i cili ishte ftuar në seancë si i dyshuar, shkruan lajmi.net.

Lekaj ka thënë se ngjarja ka ndodhur në oborrin e Gjykatës kur po hynin palët, dhe ende pa kaluar sigurimin dhe kontrollimin fizik.

“Në ato moment ka reaguar edhe sigurimi fizik i Gjykatës, (të cilët ndodheshin brenda objektit të Gjykatës), dhe kanë ndaluar konfliktin dhe menjëherë është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurën hetimore, dhe palës që ka pësuar lëndimet i është dhënë ndihma mjekësore, derisa kanë arritur ekipet e emergjencës. Gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë, ka ofruar bashkëpunimin e plotë për Policinë e Kosovës me qëllim të zbardhjes së ngjarjes”, ka thënë Lekaj.

Detaje për rastin, për lajmi.net ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

“Sot me datë 18.06.2025, para dite, deri sa ishin duke pritur në oborrin e Gjykatës në Suharekë, një person ka sulmuar një person tjetër me një mjet të fort, të dy palë në një seancë gjyqësore. Policia është në vendngjarje dhe është duke hetuar rastin”, ka thënë Bytyqi për lajmi.net.

Bytyqi ka njoftuar se i dyshuari për këtë rast është arrestuar. /Lajmi.net/