KMDLNJ-ja mirëpret marrëveshjen midis Komunës së Prishtinës dhe “Pastrimit”
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka mirëpritur marrëveshjen midis Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Pastrimi”. Në reagimin e tyre thuhet se pas një mosmarrëveshjeje midis Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”, në mungesë të kapaciteteve për largimin e mbeturinave, qyteti i Prishtinës u mbulua me mbeturina, duke krijuar kushte…

Lajme
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka mirëpritur marrëveshjen midis Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Pastrimi”.
Në reagimin e tyre thuhet se pas një mosmarrëveshjeje midis Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”, në mungesë të kapaciteteve për largimin e mbeturinave, qyteti i Prishtinës u mbulua me mbeturina, duke krijuar kushte për përhapjen e një epidemie dhe duke e shtuar numrin e qenve endacakë që, në kërkim të ushqimit, u bënë agresivë duke sulmuar qytetarët.
“KMDLNJ-ja, edhe në takim me zyrtarët e Komunës, kërkuan që të arrihet një marrëveshje në mënyrë që Komuna të shlyejë detyrimet ndaj ‘Pastrimit’, kurse kompania të shlyejë detyrimet ndaj qytetarëve. Më në fund u arrit një marrëveshje e rezultat i menjëhershëm është se kryeqyteti duket shumë më mirë dhe më i pastër. KMDLNJ-ja ka kërkuar dhe kërkon nga qytetarët e Prishtinës të paguajnë me rregull faturat dhe t’i shlyejnë borxhet e grumbulluara, qoftë përmes pagimit të faturave, qoftë duke nënshkruar një zotim – marrëveshje për riprogramimin e borxhit të përgjithshëm”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, thuhet se KMDLNJ-ja pret dhe shpreson se palët nënshkruese të marrëveshjes do t’u përmbahen detyrimeve që dalin nga marrëveshja.
“Sa më e lartë të jetë shlyerja e borxheve nga konsumatorët, kompania ‘Pastrimi’ do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime më cilësore dhe anasjelltas. Për konsumatorët pagimi i faturave është detyrim ligjor dhe moral aq më parë që shërbimet e kompanisë ‘Pastrimi’ janë të përballueshme”, vijon njoftimi.