Shqipëria dhe Serbia evakuojnë shtetasit e tyre nga Izraeli

Shqipëria dhe Serbia janë dy prej vendeve të rajonit që kanë nisur t’i evakuojnë qytetarët e tyre prej Izraelit, pas përshkallëzimit të konfliktit të këtij shteti me Iranin. Kosova nuk dihet nëse e ka larguar ndonjë shtetas të vetin nga Izraeli. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për informacion,…

Lajme

17/06/2025 16:00

Shqipëria dhe Serbia janë dy prej vendeve të rajonit që kanë nisur t’i evakuojnë qytetarët e tyre prej Izraelit, pas përshkallëzimit të konfliktit të këtij shteti me Iranin.

Kosova nuk dihet nëse e ka larguar ndonjë shtetas të vetin nga Izraeli. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për informacion, por nuk ka marrë përgjigje.

Ministri për Evropën dhe Çështje Evropiane i Shqipërisë, Igli Hasani, ka bërë të ditur se pesë shtetas shqiptarë, që kanë qenë në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar përmes Egjiptit.

“Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri”, ka bërë të ditur Hasani përmes një postimi në Facebook.

Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin prej vitit 2022, pas një sulmi kibernetik për të cilin Tirana e pati fajësuar Teheranin.

Kryeministri serb, Gjuro Macut nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të qytetarëve serbë që janë larguar, por vetëm ka deklaruar se “disa janë evakuuar”.

Ai ka thënë se Qeveria po vazhdon të zbatojë masa tjera për shtetasit serbë që janë ende në Iran dhe Izrael.

“Qeveria është duke monitoruar dhe duke marrë të gjithë masat e nevojshme për t’i mbrojtur shtetasit serbë që janë tani në Izrael dhe Iran”, është thënë përmes një komunikate.

Një pjesë e mirë e shteteve në botë i kanë udhëzuar qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë drejt Izraelit dhe Iranit prej nisjes së konflikt të drejtpërdrejtë mes tyre më 13 qershor.

Atë ditë, Izraeli ka nisur sulme në qendrat ushtarake dhe bërthamore të Iranit, duke thënë se synon t’ia pamundësojë Iranit posedimin e një arme bërthamore, meqë e konsideron rrezik për ekzistencën e vet.

Sulmet kanë vrarë të paktën 224 njerëz në Iran, përfshirë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë.

Irani është hakmarrë duke nisur mbi 370 raketa dhe qindra donë në Izrael.

Deri më tani është raportuar për 24 persona të vrarë. Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur raketa të reja të martën dhe shpërthimet janë dëgjuar në veri të Izraelit. REL