Kryeziu: Qytetarët janë irrituar nga mospjesëmarrja e deputetëve opozitarë në votim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbëreshë Kryeziu, ka reaguar ndaj bojkotit të vazhdueshëm të deputetëve të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kjo po dëmton funksionimin e institucioneve dhe proceset ligjore të vendit. Kryeziu ka thënë se tashmë qytetarët janë shprehur të irrituar me mospjesëmarrjen e deputetëve në votim. Ajo ka shtuar…

Lajme

17/06/2025 13:57

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbëreshë Kryeziu, ka reaguar ndaj bojkotit të vazhdueshëm të deputetëve të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kjo po dëmton funksionimin e institucioneve dhe proceset ligjore të vendit.

Kryeziu ka thënë se tashmë qytetarët janë shprehur të irrituar me mospjesëmarrjen e deputetëve në votim.

Ajo ka shtuar se, megjithëse disa mund të tentojnë ta paraqesin këtë situatë si faj të Lëvizjes Vetëvendosje, në realitet, faji është i atyre që janë të pranishëm në Kuvend dhe nuk po votojnë.

“Vendi nuk ka mbetur pa institucione, siç duan ta paraqesin këta deputetë të papërgjegjshëm, që vijnë dhe nuk e ngritin dorën,” tha Kryeziu.

Ajo e theksoi se pavarësisht nga situata aktuale e parlamentit, Qeveria e Kosovës është në detyrë dhe po vazhdon punën e saj.

“Jemi një qeveri në detyrë, e cila është në detyrë deri në momentin kur mandatohet si qeveri e plotë me votë të deputetëve”, shtoi ajo në teve1.

Kryeziu gjithashtu përmendi se institucionet janë duke kryer funksionet e tyre.

“Qeveria është aty, institucionet janë duke e bërë punën e tyre, pavarësisht që janë të limituar në funksionet që ata i kanë”, deklaroi ajo.