Policia e Kosovës: Në veri nuk kishte protestë e as eskalim, aktiviteti ishte defilim i maturantëve të Komunës së Mitrovicës
Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim për opinionin publik lidhur me raportimet e sotme për një protestë dhe eskalim nga studentët serb në veri të vendit. Në njoftimin e fundit të Policisë thuhet se nuk kishte as protestë por as eskalim sot, pasi thonë se aktiviteti në fjalë ishte defilim i maturantëve të…

Lajme
Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim për opinionin publik lidhur me raportimet e sotme për një protestë dhe eskalim nga studentët serb në veri të vendit.
Në njoftimin e fundit të Policisë thuhet se nuk kishte as protestë por as eskalim sot, pasi thonë se aktiviteti në fjalë ishte defilim i maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilin paraprakisht ata e kanë njoftuar në Policinë e Kosovës.
Gjatë festimit të maturës kanë ndodhur disa provokime dhe me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi Policia ka reaguar.
Postimi i plotë i Policisë:
Policia e Kosovës, stacioni në Mitrovicë të Veriut, dëshiron të sqaroj për opinionin publik që një pjesë e raportimeve për “protestë” dhe “eskalim” në Mitrovicë të Veriut janë të pavërteta dhe të pasakta.
Aktiviteti të cilit i referohen këto raportime nuk kanë të bëjë as me protestë e aq më pak me ndonjë eskalim. Aktiviteti në fjalë është defilim i maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilin paraprakisht ata e kanë njoftuar në Policinë e Kosovës.
Me rastin e raportimit dhe njoftimit Policia e Kosovës është përkujdesur për mbarëvajtjen dhe kujdesin për këtë aktivitet, i cili ka përfunduar qetë dhe pa ndonjë problem.
Gjatë festimit të maturës kanë ndodhur disa provokime dhe me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi Policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pasur nevojë për reagim shtesë.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre për sigurinë publike. Njëkohësisht, inkurajon të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshuar apo sjellje të rrezikshme në numrin emergjent 192, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për një mjedis më të sigurt për të gjithë./Lajmi.net/