Protestë para Kuvendit: Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve
Në shenjë pakënaqësie rreth mos konstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në mbrojtjen e fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, organizoi një aktivitet simbolik “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”. Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se kjo bllokadë po shkakton stagnime në…

Lajme
Në shenjë pakënaqësie rreth mos konstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në mbrojtjen e fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, organizoi një aktivitet simbolik “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se kjo bllokadë po shkakton stagnime në reforma dhe procese të ndryshme të mbrojtjes së fëmijëve, derisa përmend politikat sociale.
Ajo tha se disa projektligje kanë mbetur të pa miratuara siç është ai për ndihmën e asistencës sociale, i cili pritet të ndikojë në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe fuqizimin e familjes.
Kelmendi u bëri thirrje deputetëve që të reflektojnë dhe të ngrisin përgjegjësinë e tyre institucionale përballë nevojave, vështirësive dhe realitetit të rëndë të fëmijëve në Kosovë.
“Jemi në këtë aktivitet ndërgjegjësues për të shprehur pakënaqësinë tonë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe ndikimin që kjo bllokadë ka në proceset e mbrojtjes së fëmijëve. Kjo bllokadë po shkakton stagnime në refroma dhe procese të ndryshme të mbrojtjes së fëmijëve. Jemi këtu bashkë me organizata anëtare për të bërë thirrje drejt deputetëve që të reflektojnë dhe të ngrisin përgjegjësinë e tyre institucionale përballë nevojave, vështirësive dhe realitetit të rëndë të fëmijëve në Kosovë. Procese të shumta janë stagnuar sa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Duke filluar me politikat sociale për mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve. Një mori projektligjesh kanë mbetur të pa miratuara. Projektligji për të drejtat, njohjet, vlerësimin dhe përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuar, i cili pritet të ndikojë në rritjen dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha Kelmendi.
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se krahas fushës sociale, si pasojë e bllokadës në kuvend, stagnime ka po ashtu edhe në fushën e shëndetësisë.
Ndër të tjera, ajo përmendi Projektligjin për shëndetin mendor si dhe atë për ndalimin e pijeve energjike për personat nën 18 vjet.
Kelmendi theksoi se pa Kuvend të konstituar nuk mund të ketë as investime në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
Kelmendi: Krahas fushës sociale, stagnime ka po ashtu edhe në fushën e shëndetësisë
“Krahas fushës sociale, stagnime ka po ashtu edhe në fushën e shëndetësisë. Një mori e ligjeve kanë mbetur të pa miratuara. Projektligji për shëndetësi, Projektligji për shëndetin mendor, Projektligji për ndalimin e pijeve energjike për personat nën 18 vjet…Pa kuvend të konstituar nuk mund të kemi edhe investime në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Shërbimet sociale në vazhdimësi përballen me krizë të financimit sikurse sektori publik ashtu edhe joqeveritar dhe projektligji për financat e pushtetit lokal po ashtu procesi rreth miratimit të tij ka stagnuar. Ky projektligj parasheh krijimin e një grandi të veçantë për shërbime sociale”, tha Kelmendi.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e njëzet. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 25 maj në orën 11:00.