Kërcënimi ndaj presidentes Osmani- aktivizohen organet e hetuesisë së shtetit

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar mbrëmë një email kërcënues të drejtuar ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani. Emaili është dërguar në adresën zyrtare të Presidencës dhe përmban gjuhë fyese e kërcënuese, duke përfshirë etiketime si “kriminele”, “ordinere” dhe “antikushtetuese”, si dhe kërcënime serioze për jetën e Presidentes. Për këtë zyrtarët e Presidencës…

Lajme

20/05/2025 16:27

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar mbrëmë një email kërcënues të drejtuar ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani.

Emaili është dërguar në adresën zyrtare të Presidencës dhe përmban gjuhë fyese e kërcënuese, duke përfshirë etiketime si “kriminele”, “ordinere” dhe “antikushtetuese”, si dhe kërcënime serioze për jetën e Presidentes.

Për këtë zyrtarët e Presidencës bënë të ditur se rasti është raportuar menjëherë te organet kompetente për hetim të mëtutjeshëm.

“Kërcënimi i fundit me jetë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është vetëm një në vargun e gjatë të kërcënimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë ndër vite”. Kështu ka deklaruar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili ka ngritur shqetësimin për mosreagimin e institucioneve të drejtësisë ndaj këtyre rasteve.

Sipas Kupinës, përkundër dhjetëra kërcënimeve – shumica prej tyre me jetë – autorët nuk janë përballur me drejtësinë. Madje, ai thekson se në shumë raste kërcënimet janë bërë publikisht, me emër e mbiemër, nga profile të identifikueshme në rrjete sociale, madje edhe në emisione televizive.

“Ky është rasti i vetëm në historikun institucional, siç na është thënë nga vetë institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka thënë Kupina.

Ai ka theksuar se mosveprimi i organeve të drejtësisë ka krijuar një klimë të rrezikshme, ku kërcënimet jo vetëm që nuk ndalen, por inkurajohen. Sipas tij, kjo situatë po nxit një model të rrezikshëm të dhunës verbale, thirrjeve për eliminim fizik dhe përçmimit të rendit kushtetues.

Lidhur me këtë çështje lajmi.net, ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, të cilët thanë se për këtë është iniciuar rast penal.

“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është inicuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Po ashtu për këtë kërcënim ka reaguar edhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu i cili tha se nuk është hera e parë që presidentja kërcënohet pasi ka me dhjetëra kërcënime.

Sipas Sadriut, këto kërcënime janë pasojë direkt e mosveprimit.

“Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt”, ka shkruar Sadriu.

Ndryshe pas këtij kërcënimi, sot në presidencë ka shkuar edhe deputetja e koalicionit VV-Guxo, Albena Reshitaj.

Reshitaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i ka shprehur përkrahjen e solidaritetin presidentes pas rastit të kërcënimit.

“Roli i Presidencës është simbol i unitetit dhe forcës së popullit, andaj çdo kërcënim ndaj saj përbën një kërcënim ndaj vetë shoqërisë sonë dhe dinjitetit shtetëror.”, tha Reshitaj ndër të tjera në postimin e saj. /Lajmi.net/