​Kadrijaj: Sot do i dërgojmë komentet në Kushtetuese

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj bëri të ditur se sot do të dorëzojnë komentet në Gjykatën Kushtetuese. Ditë më parë, është kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me votimin e fshehtë, për çka partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë e kanë konsideruar anti-kushtetuese. Pas dështimit të 18-të për konstituim…

Lajme

19/05/2025 11:40

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj bëri të ditur se sot do të dorëzojnë komentet në Gjykatën Kushtetuese. Ditë më parë, është kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me votimin e fshehtë, për çka partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë e kanë konsideruar anti-kushtetuese.

Pas dështimit të 18-të për konstituim të Kuvendit, Kadrijaj tha se ky është skenar i njëjtë, teksa tha se “E mira është veç të propozohet Albulena Haxhiu për Çmim Nobel”.
“Po përsëritet skenari i njëjtë, ishte një kërkesë e kryesuesit të seancës që të konsultohemi që seanca të mbahen çdo javë. Normal që u refuzua nga të gjitha partitë opozitare për shkak se është shkelje e Kushtetutës. Me Kushtetutë thuhet që çdo 48 orë, andaj ne nuk e pranuam…. E mira është s’po di veç me propozu për Çmim Nobel Albulena Haxhiun edhe pse Çmimi Nobel është për të arriturat dhe sukseset në ndonjë fushë apo lëmi, e tash veç me propozu për Çmim Nobel për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca dhe vazhdimi i Lëvizjes Vetëvendosje me të njëjtin kandidat”, deklaroi Kadrijaj.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj tha se sot do të dorëzojnë komentet në Kushtetuese.

“Tash po nisem për në Gjykatën Kushtetuese, është afati i fundit për dërgimin e komenteve. I kemi hartuar edhe disa komente në përkrahje dhe mbështetje të asaj që kemi dërguar dhe arsyetimin se pse duhet të trajtohet me seriozitet. Ne tash po fillojmë të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, do i dorëzojmë komentet dhe normal që dëshirojmë që të fuqizohet kërkesa paraprake”, shtoi ajo para mediave.