“Përpjekje për t’i kufizuar debatet” – Opozita nuk e mbështet propozimin e VV-së për reduketim të seancave
Lëvizja “Vetëvendosje” ka dalë me një propozim të ri që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga opozita. Sipas këtij propozimi, seancat plenare të Kuvendit të Kosovës do të duhej të mbaheshin vetëm një herë në javë, duke hequr kufizimin aktual që kërkon një afat prej 48 orësh për thirrjen e tyre. Ky propozim u bë…

Lajme
Lëvizja “Vetëvendosje” ka dalë me një propozim të ri që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga opozita. Sipas këtij propozimi, seancat plenare të Kuvendit të Kosovës do të duhej të mbaheshin vetëm një herë në javë, duke hequr kufizimin aktual që kërkon një afat prej 48 orësh për thirrjen e tyre.
Ky propozim u bë para nisjes së seancës nga kryesuesi, Avni Dehari.
Sipas përfaqësuesve të VV-së, kjo nismë ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe shmangien e bllokadave të vazhdueshme në punën parlamentare. Por, ky propozim nuk është pritur mirë nga partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kundërshtuar fuqishëm, duke e cilësuar si përpjekje për të kufizuar debatet dhe për të shtyrë vendimmarrjet me rëndësi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ishte e pranishme në seancë, duke mos marrë pjesë as në diskutimin për këtë çështje. Partia e Ramush Haradinaj sot ishin në fshatin Shqiponjë (Jabllanicë e Dushkajës) ku është organizuar manifestimi përkujtimor me rastin e përvjetorit të Çlirimit të fshatit, ku do të nderohen 43 heronjtë dhe dëshmorët e këtij vendi të shenjtë.
Ndërkohë, Kuvendi zhvilloi sot seancën e 17-të me radhë, e cila dështoi përsëri në përpjekjet për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ky bllokim institucional po vazhdon prej javësh, duke thelluar edhe më tej krizën politike dhe duke ngritur shqetësime për funksionalitetin e organeve shtetërore.