Ndërprehet veprimtaria ilegale në objektin e ujësjellësit rajonal “Gazivoda”, Rizvanolli: Marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se sot është bërë ndërprerja e veprimtarisë ilegale të strukturave në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë. Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli, ka thënë se kjo fabrikë e ujit është aset kritik për…

Lajme

15/05/2025 10:34

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se sot është bërë ndërprerja e veprimtarisë ilegale të strukturave në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli, ka thënë se kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore.

Teksa tha se marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional.

“Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës. Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka thënë Rizvanolli.

Po ashtu ky rast u konfirmua edhe nga zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se po u ndihmojnë vetëm përfaqësuesve të ujësjellësit në Mitrovicën Jugore.

Objekti në fjalë, i njohur si Ujësjellësi Rajonal i Gazivodës, është ndërtuar disa vite më parë, dhe sipas raportimeve të mëhershme mediatike, investimi në të ka kapur shumën e rreth 16 milionë eurove, të financuara nga Serbia. /Lajmi.net/