​Çështja e mbeturinave në kryeqytet, VV fajëson Ramën e LDK-në

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje ka fajësuar kryetarin e Prishtinës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjendjen e krijuar në kryeqytet për shkak të mos grumbullimit të mbeturinave. Në një konferencë për media sot, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Feim Osmani tha se Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja Pastrimi nuk po mund të koordinohen për…

Lajme

14/05/2025 16:34

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje ka fajësuar kryetarin e Prishtinës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjendjen e krijuar në kryeqytet për shkak të mos grumbullimit të mbeturinave.

Në një konferencë për media sot, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Feim Osmani tha se Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja Pastrimi nuk po mund të koordinohen për ta zgjidhur situatën.

“Ne mendojmë se njësoj sikurse menaxhmenti i ndërmarrjes bashkëfajtor është edhe Komuna e Prishtinës. Këta të dy bashkë nuk po gjejnë mundësi për bashkëpunim dhe nuk po koordinohen në drejtim të hapave të menjëhershëm dhe urgjentë, të cilët e nxjerrin situatën nga këtu ku është dhe Prishtinës ia kthejnë atë që e meriton – pastërtinë e saj… Asnjëherë kryetari Rama e as LDK-ja nuk është marrë seriozisht me këtë problematikë. Derisa, ishin bashkë në koalicion PDK dhe LDK, të dyja i patën përkrahur të gjitha propozimet dhe veprimet e gabuara që i sillte menaxhmenti i komunës së Prishtinës. Në vitin 2023, patën votuar bashkë një ndryshim të rregullores së vjetër, ku patën futur edhe një mundësi që në Prishtinë të angazhohen edhe operatorë privat. Kjo situatë nuk e nxori Prishtinën nga mbeturinat por e thelloi edhe më keq situatën”, tha Osmani.

Asamblisti i Vetëvendosje tha se Komuna e Prishtinës duhet të mundësojë së zbatuari vendimin e kuvendit për ndryshim të rregullores që ia kthen të drejtën për inkasim të faturave ndërmarrjes.

Ai tha se propozimet për t’u zgjidhur kjo situatë janë duke filluar nga dorëheqja e menjëhershme e menaxhmentit të ndërmarrjes Pastrimi.

Përveç kësaj, sipas Osmanit komuna duhet sa më parë të zhbllokojë mjetet që ka grumbulluar nga pagesa e faturave, vlera e të cilave është rreth 600 mijë euro dhe të njëjtat t’i kthehen ndërmarrjes.

“Komuna duhet të mundësojë së zbatuari vendimin e kuvendit për ndryshim të rregullores që ia kthen të drejtën për inkasim të faturave ndërmarrjes dhe kjo të bëhet nga komuna e Prishtinës siç është bërë deri në votimin e fundit nga kuvendi… I kemi edhe propozimet për zgjidhjen nga situata që mendojmë se hapi i parë dhe natyrisht më i rëndësishmi është dorëheqja e menjëhershme e menaxhmentit të ndërmarrjes për të liruar rrugë të krijimit të një menaxhmenti tjetër… Komuna sa më parë të zhbllokojë mjetet që i ka grumbulluar nga pagesa e faturave, vlera e të cilave deri më tani është rreth 600 mijë euro dhe këto mjete t’i kthehen ndërmarrjes për shlyerje të borxheve, për pagesa të pagave dhe aspekte të tjera. Hapi i fundit është bashkërendimi urgjent i këtyre hapave në mes komunës dhe ndërmarrjes, dhe hapja e rrugës për daljen nga situata para se të përhapet ndonjë epidemi apo ndonjë sëmundje e rëndë”, potencoi Osmani.

Kompania Pastrimi ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Si pasojë e kësaj në kryeqytet kontejnerët janë të stërmbushur. Ndërprerja e grumbullimit të mbeturinave ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët.