Rama: Të dielën firmosim marrëveshjen për Shqipërinë europiane, PS synon të paktën 78 mandate
Fjalimi përmbyllës i Edi Ramës më 9 maj shënoi kulmin e fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke u mbështetur fort në dy shtylla kryesore: Premtimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030, dhe besimi se PS do të fitojë të paktën 78 mandate, katër më shumë se…

Lajme
Fjalimi përmbyllës i Edi Ramës më 9 maj shënoi kulmin e fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke u mbështetur fort në dy shtylla kryesore: Premtimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030, dhe besimi se PS do të fitojë të paktën 78 mandate, katër më shumë se mandati aktual.
“Ditën e diel, më 11 maj, ne firmosim marrëveshjen për Shqipërinë europiane. Një marrëveshje që ka nevojë për një votë më të madhe se kurrë ndonjëherë, një votë e madhe e një populli që i ka dalë zot vetes dhe së ardhmes së vet”, deklaroi Rama në nisje të fjalimit.
Ai theksoi se objektivi i Partisë Socialiste është të sigurojë të paktën 78 mandate në Kuvendin e ardhshëm, katër më shumë se në legjislaturën aktuale.
“Ne nuk jemi këtu për t’i ikur llogarisë, por për t’i kërkuar kësaj shumice shqiptare një mbështetje edhe më të madhe. E kemi thënë: 78 janë numri i votave që duam të marrim në Kuvend, për të garantuar një stabilitet që e çon Shqipërinë përpara pa kthim”, tha Rama.
Duke folur për rëndësinë e datës së zgjedhjeve, e cila përkon me Ditën e Europës, kryeministri u shpreh: “11 maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një datë që përkon me 9 majin, Ditën e Europës, ndaj kjo është edhe një marrëveshje simbolike që populli shqiptar e nënshkruan me të ardhmen e vet europiane”.
Në një pjesë të fjalimit, Rama përcolli një mesazh të qartë kundër opozitës, të cilën e cilësoi të paaftë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.
“E di çfarë ka përballë Shqipëria sot? Një bufi plak i rraskapitur mendërisht dhe një këshilltar amerikan që i ngjan më shumë një mashtruesi provincial sesa një strategu demokratik”, tha ai.