Në përgjigje të paradës së Putinit, liderët evropianë mblidhen në Kiev

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka arritur të shtunën në Kiev, përpara një takimi të rëndësishëm me liderë të tjerë evropianë, ku pritet të kërkohet ndërprerja e përkohshme e luftimeve në luftën Rusi-Ukrainë, raporton BBC. Përveç Starmer, në kryeqytetin ukrainas ndodhen edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa kryeministri…

Bota

10/05/2025 09:39

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka arritur të shtunën në Kiev, përpara një takimi të rëndësishëm me liderë të tjerë evropianë, ku pritet të kërkohet ndërprerja e përkohshme e luftimeve në luftën Rusi-Ukrainë, raporton BBC.

Përveç Starmer, në kryeqytetin ukrainas ndodhen edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk pritet t’i bashkohet më vonë gjatë ditës.

Në prag të takimit, liderët evropianë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, duke ritheksuar angazhimin e tyre për të qenë pranë Ukrainës në këtë periudhë të vështirë.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet për paqe sa më shpejt të jetë e mundur, të diskutojmë zbatimin teknik të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje të plotë të paqes”, kanë thënë njëzëri liderët, duke u zotuar se do të “rrisin presionin” mbi Rusinë derisa ajo të pranojë armëpushimin e plotë.

Ata kanë përsëritur thirrjen për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar për 30 ditë, siç ishte propozuar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara në muajin mars, në mënyrë që të hapet rruga për negociata për paqe të qëndrueshme.

Më vonë gjatë ditës, liderët evropianë do të zhvillojnë një takim virtual me udhëheqës të tjerë botërorë, ku pritet të diskutohet mbi “forcën ndërkombëtare të garantimit të sigurisë”, një iniciativë që synon rikthimin dhe përforcimin e kapaciteteve të ushtrisë ukrainase pas një marrëveshjeje paqeje, sipas Zyrës së Kryeministrit britanik.

Vizita e tyre ndodh vetëm një ditë pas paradës vjetore të fitores që u mbajt në Moskë për të shënuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.