Viktima e dhunës seksuale në luftë fiton të drejtën për dy pensione
Një burrë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, që është rasti i tretë, ka fituar pas 4 vjetësh betejë ligjore të drejtën për të marrë dy pensione. Aktualisht është një dispozitë ligjore që ia pamundëson Ministrisë së Financave njohjen e dy pensioneve, gjë që detyron viktimat t`u drejtohen gjykatave. Në pritje për të njëjtin vendim,…

Lajme
Një burrë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, që është rasti i tretë, ka fituar pas 4 vjetësh betejë ligjore të drejtën për të marrë dy pensione. Aktualisht është një dispozitë ligjore që ia pamundëson Ministrisë së Financave njohjen e dy pensioneve, gjë që detyron viktimat t`u drejtohen gjykatave.
Në pritje për të njëjtin vendim, janë edhe disa raste të tjera, ndërkohë që organizatat kërkojnë që kjo çështje të rregullohet në nivel ministror, duke ndryshuar dispozitat ligjore, për të shmangur paditë individuale dhe procedurat ligjore.
Viktima kur mbushi moshën e pensionimit, i është dashur të zgjedh cilin pension ta marrë. Iu deshën katër vite betejë ligjore për t’i gëzuar dy pensionet, shkruan RTK.
“M’u pat ndërprerë pensioni i moshës , po s’kam besuar që më behën dy pensionet, më ka ndihmuar qendra. Ka disa vite që ka nisur kjo procedurë. Unë e kam fituar rastin, i kam çuar dokumentet, e kam marrë aktgjykimin. 80 euro në muaj për ilaçe i përdori, tash m’u ka lehtësuar jeta pak. Ju bëj apel krejt njerëzve të kësaj kategorie që të merren me rastet e veta, qysh më ka taku mua, ju takojnë edhe tjerëve”, tha viktima.
Ky është rasti i tretë që ka fituar të drejtën e dy pensioneve, rrjedhojë kjo e vendimit të Gjykatës së Apelit. Ndërkohë, qendra kosovare për rehabilitim e të mbijetuarve të torturës, deri më tani ka iniciuar 12-të raste individuale në gjykatë.
“Katër raste kanë marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndoshta fatkeqësisht duhet të ceku që njëra nga këto katër raste ka ndërruar jetë pa arritur që ta marrë vendimin e gjykatës e kjo e bën më të ndjeshëm rastin . Kjo bën me kuptua që këta persona janë të moshuar dhe mirëqenia e tyre është në nivel që ka nevojë për përkujdesje nga të gjithë aktorët e shoqërisë sonë. Tre raste tjera Gjykata Themelore në Prishtinë ua njohu pensionet në shkallën e parë, atë të moshës, një është kontributëdhënës dhe atë si kategori e luftës, si kategori e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”, tha Fisnik Mehmeti, jurist në QKRMT.
Kohëzgjatja 4 vjeçare për një vendim gjykate, ka për pasojë ankesat nga Ministria e Financave, e cila përcjell të njëjtat drejt Apelit. Pas një përpjekje të gjatë për të ma përgjigje, Departamenti i Pensioneve, në Ministrinë e Financave, me shkrim është përgjigjur se rastet e kësaj kategori I trajtojnë bazuar në legjislacionin në fuqi.
“Ministria sigurohet që të zbatojë të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme të Gjykatave në përputhje me afatet ligjore dhe procedurat administrative. Departamenti i Pensioneve mbetet i hapur dhe i gatshëm për të komunikuar me të gjitha palët e interesuara për informim dhe sqarime të mëtejshme”, thuhet nga Departamenti i Pensioneve.
Ndryshimi i një dispozite ligjore për njohjen e dy pensioneve, atij të moshës dhe pensionit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, do të rregullonte çështjen në nivel ministror. Derisa kësaj çështjeje t’i vihet pika, kjo e drejtë mbetet betejë ligjore në gjykatat e vendit.