Gërvalla në Varshavë: Integrimi i Kosovës në BE, domosdoshmëri për paqe

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar në Varshavë se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Ajo ka riafirmuar se Kosova është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e BE-së. Gërvalla ka marrë pjesë…

Lajme

08/05/2025 17:59

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar në Varshavë se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Ajo ka riafirmuar se Kosova është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e BE-së.

Gërvalla ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, shteteve kandidate dhe atyre me status kandidat potencial, i mbajtur në Varshavë të Polonisë.

Takimi u zhvillua me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të BE-së dhe Ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski, në prani të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, ministrja Gërvalla tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk shihet më si një projekt abstrakt politik, por si domosdoshmëri strategjike dhe përgjigje konkrete ndaj realiteteve të reja gjeopolitike.

“Si shtet që ka ndërtuar institucione funksionale, ka forcuar sundimin e ligjit dhe ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave dhe vlerave evropiane, Kosova sjell në tryezë përvojën e një vendi që jo vetëm kërkon integrim, por edhe kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian,” theksoi ajo.

Në këtë forum, Gërvalla nënvizoi se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera pro-perëndimore të rajonit në BE nuk është vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri strategjike që forcon paqen dhe sigurinë në gjithë kontinentin tonë.

Përmes pjesëmarrjes në këtë takim, Republika e Kosovës, siç u tha në komunikatë, riafirmoi pozicionin e saj si një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë në Evropë.