Ekspertët e fushatës së Trump-it futen në lojë në Shqipëri, ndihmë për Sali Berishën
Disa nga strategët e fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar në Shqipëri, në përpjekje për të ndihmuar fushatën elektorale të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Associated Press, Chris LaCivita, i cili ka shërbyer si bashkë-menaxher i fushatës së presidentit amerikan Trump në vitin 2024, Tony Fabrizio anketues për Trump dhe Paul Manafort, i cili ka…

Lajme
Disa nga strategët e fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar në Shqipëri, në përpjekje për të ndihmuar fushatën elektorale të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Associated Press, Chris LaCivita, i cili ka shërbyer si bashkë-menaxher i fushatës së presidentit amerikan Trump në vitin 2024, Tony Fabrizio anketues për Trump dhe Paul Manafort, i cili ka shërbyer si kryetar i fushatës së Trump në vitin 2016 janë duke punuar për kreun e Partisë Demokratike Sali Berishën.
Bëhet e ditur se Berisha, i cili është duke sfiduar kryeministrin Edi Rama, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë dyvjeçare prej 6 milionë dollarësh me Continental Strategy, një firmë republikane konsulence dhe lobimi.
AP shkruan se konsulenca e huaj ka qenë prej kohësh një mënyrë popullore për strategët amerikanë nga të dyja partitë për të fituar para midis cikleve zgjedhore. Dhe ky vendim i Berishës për t’u mbështetur te Trump – dhe për të nxjerrë në pah përfshirjen e tyre – e bën të qartë se sa të vlefshëm mund të jenë ata për kandidatët që përpiqen të shfrytëzojnë ndjenjat populiste dhe të përsërisin ngritjen e Trump.
Megjithatë, edhe kryeministri Edi Rama ka lidhjet e tij me aleatët e Trump. Dihet se në muajin dhjetor, Kabineti i Ramës miratoi hyrjen në negociata me Atlantic Incubation Partners LLC, në pronësi të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e vogël të Sazanit.