Trajnim i avancuar për kontrollin e kufirit me pajisje të detektimit të rrahjeve të zemrës

Departamenti për Kufij në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Federale Gjermane, ka organizuar një trajnim taktik për kontrollin e kamionëve në pikëkalimet kufitare, duke përdorur një pajisje speciale për detektimin e rrahjeve të zemrës (heartbeat detector). Kjo teknologji inovative mundëson identifikimin e rasteve të kontrabandimit me njerëz pa pasur nevojë për…

Lajme

08/05/2025 16:17

Departamenti për Kufij në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Federale Gjermane, ka organizuar një trajnim taktik për kontrollin e kamionëve në pikëkalimet kufitare, duke përdorur një pajisje speciale për detektimin e rrahjeve të zemrës (heartbeat detector).

Kjo teknologji inovative mundëson identifikimin e rasteve të kontrabandimit me njerëz pa pasur nevojë për hapjen e automjeteve, duke u bazuar vetëm në imazhet që sigurohen nga pajisja.

Trajnimi ka nisur më 5 maj dhe do të zgjasë deri më 9 maj 2025. Në të po marrin pjesë 15 zyrtarë policorë nga tri drejtori rajonale të Policisë Kufitare. Ata po trajnohen nga instruktorë profesionistë gjermanë për përdorimin e kësaj teknologjie moderne.

Ky trajnim është vlerësuar si jashtëzakonisht profesional dhe i dobishëm si nga instruktorët gjermanë, ashtu edhe nga pjesëmarrësit kosovarë. Gjatë trajnimit janë shkëmbyer përvoja të ndërsjella në teknikat e kontrollit kufitar, sigurinë gjatë kontrollit të personave dhe automjeteve, si dhe në përdorimin efektiv të pajisjes për detektimin e kontrabandimit me njerëz.

Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman, Ambasadës Gjermane dhe Policisë Federale Gjermane në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të Policisë së Kosovës, veçanërisht në fushën e kontrollit kufitar.