AGK e shqetësuar pas sulmeve të VV-së ndaj Rexhës: Në vend të reflektimit organizojnë fushatë denigruese

AGK ka reaguar pas sulmeve të njëpasnjëshme të eksponentëve të VV’së ndaj kryetarit të saj Xhemajl Rexha. Asociacioni i Gazetarëve është shprehur tejet i shqetësuar pas siç i ka quajtur sulmeve të koordinuara. Derisa ka thënë se në vend që të refletojë pas raportit të RSF’së, VV po organizon fushatë denigruese. Postimi i plotë: AGK-ja…

Lajme

02/05/2025 16:06

AGK ka reaguar pas sulmeve të njëpasnjëshme të eksponentëve të VV’së ndaj kryetarit të saj Xhemajl Rexha.

Asociacioni i Gazetarëve është shprehur tejet i shqetësuar pas siç i ka quajtur sulmeve të koordinuara.

Derisa ka thënë se në vend që të refletojë pas raportit të RSF’së, VV po organizon fushatë denigruese.

Postimi i plotë:

AGK-ja tejet e shqetësuar me fushatën denigruese ndaj organizatës dhe Kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësimin e thellë për fushatën denigruese dhe sulmet e koordinuara ndaj organizatës, dhe kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha.

Në vend të reflektimit të domosdoshëm pas rënies dramatike të Kosovës për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), duke e renditur vendin tonë më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe krahas shteteve me histori të rënduar të censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve, vërehet tendencë e papranueshme e deputetëve të LVV-së për të fajësuar AGK-në dhe udhëheqësin e saj për këtë realitet.

Rexha, një gazetar me përvojë 20 vjeçare në gazetari dhe integritet të lartë profesional, prej katër vitesh është në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e gazetarëve dhe për fuqizimin e lirisë së medies dhe shprehjes në Kosovë.

Deputetja e zgjedhur Arbëresha Hyseni Kryeziu ka targetuar në mënyrë të papranueshme personale Rexhën, kurse deputetë të tjerë të zgjedhur si Valon Ramadani dhe Arjeta Fejza kanë targetuar organizatën.

AGK-ja i fton deputetët e Vetëvendosjes që t’i ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të pavarura dhe të adresojnë me seriozitet situatën e paprecedentë alarmante të lirisë së mediave në Kosovë. Liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve nuk janë çështje të preferencave politike, por vlera themelore të një demokracie funksionale.